Politike

Nuk mori asnjë mandat në Vlorë, Luan Rama njofton largimin nga LSI

Vlora ishte një prej qarqeve me përplasjen më të ashpër gjatë fushatës zgjedhore të 25 prillit mes Partisë Socialiste dhe Lëvizja Socialiste për Integrim. Aq e fortë ishte kjo përplasje, sa qarku tërhoqi edhe vëmendjen e Presidentit Ilir Meta, që e vizitoi shpesh gjatë fushatës.

Fushata e LSI-së drejtohej në Vlorë nga Luan Rama. Kjo parti i kishte vënë vetes si objektiv 2 mandate në Qarkun e Vlorës. Por, pas numërimit të fletëve të votimit nuk ja doli mbanë as të siguronte një mandat.

Nisur nga ky rezultat, Luan Rama njoftoi dorëheqjen nga të gjitha funksionet e tij në LSI.

“Rezultati i zgjedhjeve që LSI arriti në qarkun e Vlorës, është nën nivelin e mundësive reale të votuesve që LSI ka në atë qark. Është rezultat i papërligjur politikisht, larg pritshmërive dhe objektivave të përcaktuar. Për rrjedhojë, pavarësisht rrethanave specifike dhe paradoksalisht penguese prej faktorësh jashtëpolitike që u krijuan në Vlorë, unë nuk mund të justifikohem, edhe pse u përpoqa të punoj ndershmërisht dhe me shumë përkushtim me të gjithë anëtarët, simpatizantët dhe votuesit e LSI-së në qarkun e Vlorës”, deklaroi Rama.

Rama e cilëson 25 prillin një kapitull të mbyllur dhe rezultatin të vulosur, ndërsa largimin pas 13 vitesh në LSI si rezultat të pashmangshëm të rezultatit që mori në Vlorë.

“Është në koherencë edhe me frymën dhe përmbajtjen e Programit Politik dhe të Statutit të LSI-së, e cila duke qenë forcë përfaqësuese e rinisë kryesisht, por edhe e më të rriturve me mendësi, mentalitet dhe vizion të ri, duhet të ofrojë modele sjelljesh dhe qasjesh politike që motivohen nga interesi i vendit para atij të partisë në radhë të parë, dhe nga interesi i partisë para atij të individit më tej”, shkruan ai.

Luan Rama falenderon Ilir Metën dhe Monika Kryemadhin për besimin që i dhanë, ndërsa përgënjeshtron zërat që qarkulluan gjatë fushatës zgjedhore në Vlorë që e lidhnin me Partinë Socialiste.

Gjatë kësaj fushate Luan Rama, që ishte i pari në listën e kandidatëve, pati përplasje me Petrit Vasilin dhe Monika Kryemadhin, aq sa u mënjanua.

Pati raportime se në fushatë Monika Kryemadhi dhe Petrit Vasili kanë udhëzuar strukturat e LSI-së në Vlorë, që të mos i japin asnjë votë Luan Ramës, por votat të shkojnë për Griselda Myslimin, e renditur e dyta në listë.

Zërat u përforcua në një takim elektoral të zhvilluar në Vlorë nga Petrit Vasili e Monika Kyemadhi. Pas takimit, Vasili bëri thirrje publikisht për të votuar Griselda Myslimin.

“Vlora do të votojë Grisejda Myslimin, vajzën e saj të mrekullueshme, pedagogen dhe misionaren. Vlora do të votojë Dikens Bushajn, të riun e shkëlqyer patriot. Vlora do të votojë Anxhela Shenajn, vajzën dinjitoze të Gjormit dhe Vlorës. Vlora do të votojë Liri Demën, gruan e jashtëzakonshme dhe të nderuar. Rilindja do të provojë humbjen më të hidhur në Vlorë!”, pa e përmendur Luan Ramën.

Gjithsesi, Luan Rama thotë se nuk është “tradhtar”.

“Askush, kurrkund dhe në asnjë rast nuk e ka përdorur dot emrin tim për të përgojuar, për të goditur apo për të përbaltur LSI-në. Ky vendim nuk është akt ikjeje nga LSI dhe as braktisje e saj. Aq më pak nuk është shitje e blerje. Nuk është tradhti”, thotë ai.

Në fund, Luan Rama thotë se do të vijojë të kontribuojë për LSI-në.

Luan Rama ka mbajtur postin e nënkryetari të Lëvizjes Socialiste për Integrim. Ai ishte ndër të parët drejtues të kësaj force politike që kërkoi ndjesë për djegien e mandateve të deputetit në 2019-n dhe e cilësoi atë vendim si të gabuar.

“Kërkoj ndjesë që nuk e dëgjuam presidentin që na tha: Mos ikni nga parlamenti. Ne gabuam që nuk e dëgjuam kur tha se opozita është institucion në demokraci dhe nuk braktistet institucioni. Kërkoj ndjesë në emër të LSI, unë jam nëkryetar i LSI”, deklaroi ai në mars të këtij viti.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë