Italia fqinje është vendi europian që ka evakuuar numrin më të madh të afganëve të bllokuar në aeroportin e Kabul, të dëshpëruar për t’i shpëtuar regjimit të talebanëve.
“Ne jemi vendi i BE -së që po merr numrin më të madh të të evakuuarve afganë,” tha Luigi Di Maio, ministri i Punëve të Jashtme i Italisë. Disa vende nga Perëndimi dhe Lindja janë përpjekur të evakuojnë qytetarët e tyre dhe aleatët afganë që kur talebanët morën kontrollin e vendit.
Italia thotë se kanë evakuuar gati 5,000 qytetarë afganë që nga 15 gushti, që kur talebanët morën kontrollin e Afganistanin, ndërsa Gjermania ka sjellë 4,000 afganë.
“Ka ende kaq shumë shtetas afganë që presin të evakuohen, dhe ne nuk mund ti evakuuojmë me transportin ajror,” tha Di Maio. “Motoja jonë do të jetë të mos braktisim popullin afgan, të mos braktisim gratë afgane, apo të rinjtë afganë dhe të gjithë ata që gjatë gjithë këtyre viteve kanë treguar një dëshirë të madhe për evolucion, për ndryshim.”

Deklaratat e Di Maios vijnë pasi presidenti italian, Sergio Mattarella, u bëri thirrje vendeve europiane të hapnin dyert për afganët dhe të mos braktisnin ata që i kishin ndihmuar.
“Deklaratat e bëra nga disa politikanë të BE -së që shprehin solidaritet të madh me afganët që humbasin liritë dhe të drejtat e tyre, por thonë se ata duhet të qëndrojnë atje, nuk janë në të njëjtën vijë me vlerat e BE -së”, tha Presidenti italian të dielën.
“Unë jam i vetëdijshëm se shumë vende janë të frenuara nga shqetësimet e mundshme elektorale,” tha Mattarella. “Por në këtë mënyrë ne përfundojmë duke i besuar menaxhimin e fenomenit të emigrimit kontrabandistëve dhe trafikantëve të njerëzve,” shtoi ai.
Mattarella po bën thirrje që një politikë e përbashkët europiane për migracionin të bëhet përparësi për të “shmangur mbingarkimin nga një fenomen i pakontrollueshëm” i cili sipas tij, në 25 ose 30 vitet e ardhshme do të prekë të gjithë, përfshirë vendet e Evropës Veriore.
Presidenca sllovene ka thirrur një takim të jashtëzakonshëm të ministrave të punëve të brendshme për të diskutuar mbi Afganistanin dhe situatën e refugjatëve afganë më 31 gusht, por nuk ka gjasa që vendet anëtare të bien dakord për numrin e refugjatëve që vetë BE -ja mund të pranojë dhe sipas diplomatëve do t’i kushtojë më shumë rëndësi sigurisë.

Një diplomat i BE -së i tha për portalin “EURACTIV” se vendet anëtare po planifikojnë të mbështesin financiarisht vendet fqinje si Uzbekistani, Turkmenistani dhe Taxhikistani në mënyrë që afganët të qëndrojnë në Azinë Qendrore dhe t’i mbajnë ata larg bllokut
“Shtetet anëtare të BE duan që refugjatët afganë të arrijnë edhe në Turqi, por jo më tej” tha diplomati.
Evropa nuk është e gatshme të përballojë një valë tjetër emigrimi pasi një pakt i ri emigracioni i propozuar nga Komisioni Europian ka ngecur.
Diplomati shtoi se zgjedhjet e ardhshme në Gjermani dhe Francë nuk e ndihmojnë në zgjidhjen e situatës.
Sipas presidentit italian, një politikë e përbashkët imigracioni duhet të shkojë paralelisht me qasjen e përbashkët të unionit në politikën e jashtme dhe mbrojtjes, sepse ajo që ndodhi në Afganistan dhe më herët në Siri “nxori në pah kapacitetin e ulët të ndikimit të Bashkimit Europian.
Ky është një fakt serioz për Evropën dhe aleatët e saj, për NATO -n dhe për Shtetet e Bashkuara, shtoi presidenti italian. “Në një botë ku lojtarët ndërkombëtarë janë gjithnjë e më të mëdhenj, unë besoj se aleati më i afërt i SHBA duhet të ketë kapacitet më të madh operacional,” shtoi ai.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje