Politike

Një takim në Ljubjanë për të matur pulsin e BE-së për negociatat

Udhëheqësit e Ballkanit Perëndimor do të mblidhen në një samit me Bashkimin Europian në datat 1 dhe 2 shtator. Samiti do të mbahet në Ljubjanë të Sllovenisë me fokus te integrimi i rajonit në BE, sfidat me të cilat po përballet, përfshirë këtu Covid dhe koordinimi i përgjigjes ndaj pandemisë.

Shqipëria do të përfaqësohet në këtë takim nga Kryeministri Edi Rama dhe ministrja e Jashtme, Olta Xhaçka. Gazeta “Si” mëson se veç integrimit dhe pandemisë, Shqipëria mund të ngrejë në këtë takim edhe çështjen e refugjatëve afganë dhe të kërkojë më shumë ndërgjegjësim nga vendet e BE.

Sipas agjendës jozyrtare, në ditën e parë të takimit do të diskutohet pandemia, transformimi i gjelbërt dhe digjitalizimi në kuadër të procesit të zgjerimit të BE.

Në këto takime pritet që të diskutohet edhe për çështjen e hapjes formale të negociatave me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut. Në pranverë, Bullgaria vendosi veton ndaj Maqedonisë së Veriut, duke djegur edhe Shqipërinë, pasi udhëheqësit e unionit kërkuan mosndarjen e dy vendeve.

Diskutimet mund të shërbejnë si njësi matëse e pulsit të Brukselit në lidhje me këtë temë, të stërzvarritur deri më tani. Jozyrtarisht Shqipëria nuk ka kërkuar ndarjen nga Maqedonia e Veriut, por përballë një vetoje tjetër të mundshme bullgare në samitet e vjeshtës të udhëheqësve të BE-së, nuk është çudi që Qeveria shqiptare të kërkojë ndarjen.

Sinjalin e dha Kryeministri Edi Rama në intervistën e fundit të dhënë për agjencinë italiane të lajmeve, ANSA. “Është e çuditshme dhe e pashpjegueshme që ëndrra europiane e Shqipërisë të mbahet e bllokuar nga vetoja bullgare ndaj Maqedonisë së Veriut”, tha ai.

Takimet e Sllovenisë i paraprijnë samitit të tetorit mes BE dhe Ballkanit Perëndimor. Nga ky samit mund të kuptohet më shumë në lidhje me vendimmarrjen e Brukselit sa i takon hapjes formale të negociatave me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë