Të gjithë bashkë përpara. Boshti i Interit nuk preket, është shtylla kurrizore e një skuadre, ku ndërtohet suksesi. Pasi panë të largohen protagonistë të titullit, si Lukaku dhe Hakimi, dhe pasi ia dolën të bëjnë një skuadër kompetitive për të luftuar për trofe, Marota dhe Auzilio kanë nisur misionin e madh të rinovimit me Lautaro Martinez, Marselo Brozoviç dhe Nikolo Barela, të cilët janë të paprekshmit e Inzagit.
Në agjendën e takimeve të drejtuesve të Interit për momentin është vetëm takimi me Alejandro Kamanjo, agjentin e Lautaro Martinezit. Palët do të takohen sërish për të hedhur të zezën mbi të bardhë, pasi kanë arritur akordin verbal për rinovimin deri në vitin 2025. Pastaj do të jetë radha e Brozoviç, kontrata e të cilit skadon në 2022-shin, e më pas e Barelës, që konsiderohet si kapiteni i së ardhmes tek Interi. Një e ardhme jo e largët, duke parë që Handanoviç është në vitin e fundit si zikaltër.

Këto tre operacione do t’i ksuhtojnë klubit në total 30 milionë euro në total, një shpenzim i rëndësishëm, por jo aq sa janë sot Lautaro, Brozoviç dhe Barela për ambicjet e projektit të ri të Interit.
Janë ditët e “Toro”-s, lojtarit që pa Lukakun duhet të udhëheqë sulmin drejt titullit të dytë radhazi. Argjentinasi do të përfitojë 6 deri 6.5 milionë euro neto në vit, gati për t’u bërë nga sezoni i ardhshëm më i paguari i skuadrës. Për Lautaron flasin numrat: 50 gola në 133 ndeshje me Interin, me perlat në Champions ndaj Barcelonës dhe Real Madridit. Firma në kontratën e re do të hidhet sapo ai të kthehet nga Argjentina.
Shumë shpejt duhet të mbyllet edhe rinovimi i Brozoviçit. Kroati paguhet 3.5 milionë euro dhe duhet të shkojë në 4.5 milionë neto nga sezoni i ardhshëm. E njëjta gjë vlen edhe për Barelën, që aktualisht fiton 2.5 milionë dhe për të duhet po ashtu një rritje deri në 4.5 milionë. Qëllimi i drejtuesve të Interit është të shpejtojnë për të finalizuar marrëveshjet, në mënyrë që Inzagi të punojë me gjithë qetësinë e nevojshme. Barela dhe Brozoviç tashmë janë të pandarë edhe në rrjetet sociale.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje