Presidenti Ilir Meta ka thirrur mbledhjen e parë të Kuvendit të ri për në datën 10 shtatori në orën 10. Dekreti i Presidentit është firmosur këtë të mërkurë dhe ka hyrë në fuqi menjëherë.
Ilir Meta nuk ka humbur kohë në ushtrimin e kësaj detyre, megjithëse parashikimet Kushtetuese i jepnin afat deri në datë 19 shtator për të nxjerrë dekretin e mbledhjes së Kuvendit të ri. Ky afat parashikohet në nenin 167 të Kushtetutës, ku thuhet se “Presidenti i Republikës e mbledh Kuvendin e porsazgjedhur jo më parë se data e përfundimit të mandatit të Kuvendit paraardhës, por jo më vonë se 10 ditë pas mbarimit të këtij mandati”.
Në pikën e dytë të këtij neni, parashikimi tjetër thotë shprehimisht se “në rast se Presidenti i Republikës nuk e ushtron këtë kompetencë, Kuvendi vetëmblidhet në ditën e dhjetë të afatit të parashikuar në pikën 1 të këtij neni”.
Pas nisjes së legjislaturës së re, i hapet rruga formimit të Qeverisë së re. Për formimin e saj, Presidenti mandaton kryetarin e partisë, ose koalicionit fitues të zgjedhjeve të fundit, në këtë rast Edi Ramën.
Në fakt, në Presidencë ka mbërritur shkresa informuese e Sekretarit të Përgjithshëm të Partisë Socialiste, Taulant Balla, që i kërkon Presidentit Ilir Meta që të mandatojë për formimin e Qeverisë së re, Edi Ramën.
Pas mandatimit, Edi Rama ka kohë 10 ditë që të paraqesë në Kuvend përbërjen e kabinetit të ri qeveritar, shoqëruar me programin qeverisës 4-vjeçar. Hapi tjetër është betimi para Presidencës dhe në fund marrja zyrtarisht e detyrës.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje