Dy ditë pas tërheqjes së forcave të huaja nga Afganistani, turma të mëdha të qytetarëve afganëve janë parë në drejtim të kufijve të vendit në përpjekje për t’u larguar. Aeroporti i Kabulit është marrë nën kontrollin e talibanëve dhe fluturimet ende nuk kanë rifilluar.
I gjithë vendi është nën kontrollin e grupit militant, i cili mori pushtetin, pas 20 vjetësh të prezencës së forcave të huaja të udhëhequra nga Shtetet e Bashkuara.
Mijëra afganë po shkojnë në drejtim të kufijve të vendit me Iranin, Pakistanin dhe shtetet e Azisë Qendrore.
Skena tronditëse u panë në shkretëtirën përgjatë vijës kufitares Afganistan- Pakistan.
Në fotot e publikuara nga mediat botërore, nuk shihet fundi i kolonës dhe marshit katër orësh përmes një tereni të vështirë, ku refugjatët afganë udhëtuan nëpër Pakistan, për të vazhduar rrugëtimin drejt Iranit. Udhëtimi i këtyre afganëve ka filluar në Nimruz, provincën më pak të banuar në Afganistan që është e mbuluar me kodra, zona malore por edhe shkretëtirë.
Agjencia Reuters raporton po ashtu se në Torkham, një tjetvr vendkalim i madh kufitar me Pakistanin, një numër i madh njerëzish po presin në anën e Afganistanit për hapjen e portave.

Raportohet po ashtu se mijëra njerëz u dyndën në pikën kufitare Islam Qala midis Afganistanit dhe Iranit.
Afganistani po përballet me boshllëk administrativ pasi ende nuk dihet se me çfarë ligje dhe rregulla do të qeverisin talibanët. Ata kanë thënë se së shpejti do të formojnë një qeveri dhe u kanë bërë thirrje afganëve të qëndrojnë në vend.
Por, shumë banorë afganë kanë frikë, pasi ende kanë në kujtesë regjimin taliban që kishte sunduar vendin nga vitet 1996 deri më 2001.
Një grua tha se kishte parë militantët talibanë duke rrahur gra me shkopinj jashtë një banke në kryeqytetin afgan. “Është hera e parë që kam parë diçka të tillë dhe me të vërtetë më frikësoi”, tha 22-vjeçarja, në kushte anonimiteti, sepse kishte frikë për sigurinë e saj.

Militantët islamik janë përqëndruar në kontrollin e bankave, spitaleve dhe institucioneve qeveritare, pas tërheqjes përfundimtare të forcave amerikane të hënën.
Më shumë se 123.000 njerëz u evakuuan nga Kabuli përmes transportit ajror të udhëhequr nga SHBA-ja, por dhjetëra mijëra afganë që nuk kishin mundësi të evakuohen përballen me rrezik.
Këshilli i Sigurimit i Kombeve të Bashkuara përmes një rezolute u bëri thirrje talibanëve që të lejojë të gjithë ata që duan, të largohen nga Afganistani. Ministri i Jashtëm francez, Jean-Yves Le Drian, ka thënë se talibanët janë në bisedime me Katarin dhe Turqinë për menaxhimin e aeroportit në kryeqytet.
Talibanët kanë shpallur një amnisti për të gjithë afganët që kanë punuar me forcat e huaja.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje