Politike

Aktorë të tretë në rajon? Rama: BE s’mund të na kërkojë besnikëri

Në një fjalim të shkurtër, por plot pathos e metafora, Kryeministri Edi Rama tha se Bashkimi Europian nuk mund t’u kërkojë vendeve të Ballkanit Perëndimor besnikëri ndaj tij.

“Ju lutem, mos përmendni më aktorë e faktorë të tretë. Është qesharake! Sepse nga njëra anë na thuhet se na duan, se jemi të rëndësishëm për ta e se një ditë do të martohemi, por nga ana tjetër deri atëherë as nuk flasim dot bashkë, por as mund t’u flisni të tjerëve. Kërkojnë të testojnë besnikërinë tonë?! kjo nuk mund të jetë kështu. Po flasim për hapjen e bisedimeve, bisedime, vetëm bisedime, nuk po flasim për anëtarësim”, deklaroi Rama gjatë Forumit Strategjik të Bledit në Slloveni.

Kryeministri u shpreh se BE nuk mund të flasë për të ardhme europiane pa Ballkanin Perëndimor. “Se Europë jemi edhe ne dhe këtë nuk e heq dot njeri”, u shpreh ai.

Rama iu rikthye teatrit të absurdit të Samuel Becket dhe veprës së tij “Duke pritur Godonë” për të ilustruar situatën në të cilën ndodhet Shqipëria e Maqedonia e Veriut përballë Bashkimit Europian.

“Unë nuk e di kush është Ekstragoni, e kush vladimiri, unë apo Zaev, por ne jemi duke pritur Godonë dhe njëri pyet do të ikim? Tjetri përgjigjet hajde ikim! Por, Becketi na thotë askush nuk ikën”, deklaron ai.

“E bukura është që në këtë rast, Becketi (Bashkimi Europian) ndryshon ngjyra dhe këtë herë ishte Bullgaria”, shtoi Rama.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë