Fjalimin para Asamblesë së Partisë Socialiste, Edi Rama e nisi me paralajmërimin se partia do t’u nënshtrohej ndryshimeve të thella, fillimisht në strukturat drejtuese për të vijuar më pas e shtrirë në kohë edhe në bazë.
Qëllimi, sipas Ramës, është shndërrimi i partisë në një organizatë që nuk funksionon vetëm për zgjedhje dhe për të siguruar vende pune në shtet, por si hapësirë mendimi, kritike e aktivizimi qytetar.
Ndryshimet lënë jashtë strukturave drejtuese disa emra “të rëndë” në PS, si Pandeli Majko, Ilir Beqaj, Erjon Braçe, që gjithashtu nuk do të jetë më as zv.Kryeministër, Fatmir Xhafaj e Pjerin Ndreu.
Detyra kryesore për këtë transformim do t’i besohet Damian Gjiknurit, që zëvendëson dy herë Taulant Ballën. Emri i Gjiknurit u shqiptua nga Kryeministri fillimisht si Sekretari i ri i Përgjithshëm i Partisë Socialiste. Jo vetëm kaq, Gjiknuri do të transferohet nga Vlora në Elbasan si drejtues Qarku, duke zëvendësuar edhe këtu, Taulant Ballën.
Vetë Balla, që është konfirmuar si kryetar i Grupit Parlamentar socialist në Parlamentin e ri, do të mbajë edhe postin e drejtuesit të Qarkut të Fierit, vend i lënë bosh pas dorëheqjes dhe largimit nga politika të Gramoz Ruçit, që në këtë mbledhje ishte i pranishëm.
Si Sekretar i Përgjithshëm, Damian Gjiknurit iu la 100 ditë kohë që të përgatisë planin e transformimit të partisë, detyrë që duhet ta kryejë me sekretariatet dhe drejtuesit e rinj të tyre. Ata do të jenë Blendi Klosi si Sekretar Organizativ i PS, Anila Denaj, si Sekretare për Burimet Njerëzore, Romina Kuko, Sekretare e re për Marrëdhëniet me Jashtë, Bojkena Basha, Sekretare për Rininë në PS, Etjen Xhafaj si Sekretar për Digjitalizimin dhe Etilda Gjonaj, që në Qeveri u zëvendësua nga Ulsi Manja, që do të jetë Sekretarja për Rolin e Gruas.
Pjesë e transformimit do të jetë edhe Akademia Politike e PS-së. Në këtë Akademi do të përfshihet edhe ish-ministri i Jashtëm, Ditmir Bushati, së bashku me vetë Edi Ramën, Servet Pëllumbin, Ethem Rukën, Lindita Nikollën dhe Arbër Maznikun. “Akademia do të jetë shkolla e mendimit politik e këtij dhe brezave të ardhshëm të PS-së”, tha Rama.
Lëvizjet e tjera në qarqe janë ajo e Blendi Klosit, që transferohet nga Berati në Lezhë, Ulsi Manja që do të drejtojë Dibrën, Erion Veliaj që mbetet në Tiranë, Arben Ahmetaj do të drejtojë Vlorën, Ardian Çela Durrësin, Bledi Çuçi nga Gjirokastra do të kalojë në Berat, Mirela Kumbaro do të drejtojë Gjirokastrën, Niko Peleshi do të drejtojë Korcën dhe Elisa Spiropali që do të drejtojë Kukësin.
Kryetarët e qarqeve do të jenë edhe automatikisht anëtarë të Kryesisë së Partisë Socialiste, ndërkohë që kandidatët për të plotësuar vendet e tjera janë Pandeli Majko, Erion Braçe, Ditmir Bushati, Ilir Beqaj, Arben Pëllumbi, Eduard Shalsi, Armand Subashi, Fatmir Xhafaj, Pjerin Ndreu, Ervin Dema, Ogerta Manastirliu, Belinda Balluku, Olta Xhaçka, Ermonela Felaj, Milva Ekonomi, Mimi Kodheli, Klotilda Ferhati, Blerina Gjylameti dhe Almira Xhongulla.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje