Politike

“Urtësia” e Lindita Nikollës për të moderuar përplasjen PS-PD në Kuvendin e ri

Që pas dorëheqjes dhe largimit nga politika të Gramoz Ruçit, Edi Rama u vu në kërkim të një emri që do ta pasonte atë, jo më shumë në parti, sesa në krye të Kuvendit, që vlerësohet si një detyrë e vështirë me rikthimin e Partisë Demokratike në Kuvend, aq më tepër me statusin “non grata” të Sali Berishës.

Pikërisht ky status i Berishës dhe gjithë zhvillimet e tjera politike që pasuan djegien e mandateve në 2019-n nga PD e LSi paralajmërojnë një legjislaturë me diskurs ndër më të ashpërit politik dhe një detyrë të vështirë për kryetarin e Kuvendit.

Emrat që qarkulluan në media përgjatë kësaj kohe kanë qenë shumë, që nga Olta Xhaçka, Mirela Kumbaro, Mimi Kodhelit, që mori mandatin pas dorëheqjes së Najada Çomos, e deri te Taulant Balla, Bledi Çuçi dhe Niko Peleshi.

Por, Edi Rama ishte në kërkim të një profili që të garantojë qetësinë, korrektesën dhe zbatimin e rregullores në moderimin e debatit me opozitën. E ky profil, sipas përzgjedhjes së kreut të mazhorancës përputhet me emrin e Lindita Nikollës.

Pse Nikolla?

Lindita Nikolla mori drejtimin e Ministrisë së Arsimit në mandatin e parë të Ramës, në 2013-n. Ajo udhëhoqi një sërë reformash në arsim, që nga arsimi i lartë dhe verifikimin e universiteve private që vepronin në masë në atë periudhë, ku një pjesë e mirë e tyre u mbyll, te arsimi fillor dhe përqëndrimi te arsimi profesional.

Të gjitha këto reforma morën vlerësimin e Kryeministrit Edi Rama, edhe për përballimin e akuzave që iu adresuan Nikollës, përfshirë këtu edhe sulme personale që lidheshin me arsimimin e saj. Nikolla i përballoi të gjitha akuzat me qetësi dhe vijoi me programin e reformave. Për këtë asaj iu besua Ministria e Arsimit edhe në mandatin e dytë.

Por, momenti më kritik në karrierën e saj ka qenë protesta studentore që shpërtheu në dhjetor të 2018-s kundër tarifave të reja për provimet e mbartura. Nikolla ftoi disa herë në takime dhe u takua me përfaqësues të studentëve, por ato dështuan dhe protesta u përshkallëzua.

Megjithatë, ajo e pati besimin e Kryeministrit Edi Rama. “Lindita Nikolla ka pasur virtytin që nuk e ka pasur asnjë profesor, asnjë doktor, asnjë ministër Arsimi më parë, asnjë burrë në atë zyrë më parë, që t’ju dëgjojë për çdo gjë, që komunikojë për çdo gjë, të konsultohet për çdo gjë dhe që ta vonojë procesin e reformës që të marrë konsensus nga ju”, deklaronte Rama.

Lindita Nikolla dhe Kryeministri Edi Rama u justifikuan fillimisht duke deklaruar se propozimi i rritjes së tarifave për provimet e mbartura nuk ishte i Qeverisë, por i vetë universiteve dhe këshillimeve që ishin bërë në universitetet publike dhe ato private para miratimit të VKM-së.

Megjithatë, protesta u përshkallëzua edhe nën dyshimet e akuzat se në të u përfshinë forumet rinore të partive politike opozitare. Kjo çoi në dorëheqjen e ministres Nikolla nga detyra. Gjithsesi, ajo u rikthye në drejtimin e fushatës së PS-së për zgjedhjet e 25 prillit në një qark të vështirë si ai i Lezhës.

Në këtë qark, socialistët siguruan 3 mandate, ndërsa Partia Demokratike 4. Rezultati vlerësohet pozitiv në një kohë që PD pretendonte deri në 5 mandate në këtë qark, e LSI po ashtu një mandat.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë