Nëse lamtumira e Mesit nuk ishte edhe aq traumatike, largimi i Grizmanit kompletoi ridimensionimin e një Barcelone, që ka kaluar menjëherë nga statusi hyjnor tek ai tokësor. Joan Laporta, vetëm kur u rizgjodh president në pranverën e këtij viti filloi të shohë më në brendësi llogaritë e klubit. Dhe aty kuptoi se çfarë kishte ndodhur me administrimin e Bartomeut.
Nuk është mirë që të përmenden emra, por të mos citosh ish-presidentin e katalanasve kur flitet për katastrofën ekonomike që ka kapur Barcelonëm, është e pamundur. Gjithcka nisi në verën e 2017-ës, ose më saktë edhe pak muaj më parë, në momentin e rinovimit të kontratës së Nejmarit. Braziliani më pas iu ofrua PSG-së, që derdhi në arkën e Barcelonës shifrën rekord të 222 milionë eurove.

Nga ai moment erdhën gabimet njëri pas tjetrit. Gati gjysmë miliardi euro u shpërdoruan për Koutinjon (150 milionë), Dembelenë (145) dhe Grizmanin (135). Për ta dhe gjithë shokët e tjerë të skuadrës paga shumë të larta, që kaluan 80% të të ardhurave që katalanasit synonin t’i çonin në më shumë se 1 miliard. Mund t’ia kishin dalë, nëse nuk do të vinte pandemia, që hodhi në erë gjithçka dhe nxorri zbuluar një sistem ekonomik të brishtë.
Para lamtumirës së Mesit dhe Grizmanit, totali i pagave të lojtarëve shkonte në 105% që të ardhurave të Barcelonës, siç ka deklaruar Laporta. Bartomeu ka bërë blerje të këqija, ka paguar shumë dhe ka vepruar në mënyrë të pajustifikueshme, ndaj dhe u detyrua të jepte dorëheqjen për të mos pasur pasoja ligjore më pas. Faturat e shumta prej më shumë se 200.000 eurosh që kanë dalë vitet e fundit të presidencës së tij janë në qendër të një hetimi të brendshëm, rezultatet e të cilit do të dalin ditët në vazhdim.
Kështu, nga Mesi-Suarez-Nejmar, tredhëmbëshi i tripletës në 2015-ën, në 6 vjet në “Camp Nou” kanë kaluar te Braithuejt-De Jong-Depai. Me një sulm të tillë, të flasësh për Championsin, është më mirë trë fokusohesh te vendi i 4-t se për fitimin e kompeticionit. Laporta e di, por nuk mund të bënte gjë tjetër. Kjo edhe për faktin se për të marrë presidencën duhej të ngrinte 124 milionë euro, që nuk i janë dhënë gratis.
Përqafimi i projektit të dështuar të Super Ligës së presidentit Florentino Perez dhe refuzimi i eurove “cash” të fondit “Cvc”, duke shkuar gjithmonë pas Realit, janë shembuj që kushtëzojnë lëvizjet e Laportës. Ai është votuar për ta rikthyer skuadrën të erës Guardiola, basti i tij i madh i fituar, por tani gjendet në vështirësi shumë të mëdha.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje