Futboll

Hungarezët të pandreqshëm, kore raciste dhe objekte në fushë ndaj Anglisë

Koret raciste kur futbollistët e Anglisë u ulën në gjunjë për të mbështetur lëvizjen “Black Lives Matter” para ndeshjes me Hungarinë në Budapest, janë vetëm një pjesë e vogël e çmendurisë së tifozërisë vendëse në “Puskas Arena”. “Do të flas me shokët e ekipit, do të denoncojmë gjithçka në UEFA”, – ka thënë kapiteni anglez, Herri Kejn. Skuadra e Southgejt fitoi 4-0 dhe kryeson Grupin I, ku bën pjesë edhe Shqipëria, por ndeshja në fjalë është e destinuar të sjellë diskutime.

Hungaria duhet të luajë 3 ndeshje me dyer të mbyllura, pasi UEFA i konsideroi fajtorë tifozët e saj për sjellje diskriminuese gjatë Euro 2020. Por ndeshja me Anglinë, duke qenë kualifikuese e Botërorit, organizohet nga FIFA, që lejoi praninë e 67.000 personave në stadiumin e Budapestit. Tifozët hungarezë filluan të ndiheshin që në nxemjen e Anglisë, ku i pari që u vu në shënjestër ishte Belingam. Pastaj nisën koret kur lojtarët anglezë u gjunjëzuan.

Momenti kur tifozet hungareze hedhin sende ndaj Sterling. Gazeta Si, 3 shtator 2021

Ndaj Rahim Sterling vërshuan gota plastike dhe shishe uji, kur ai shënoi golin e parë të ndeshjes, ndërsa pas golit të Meguajër në fushë u hodhën edhe fishekzjarre. Po ashtu, u hodhën edhe shishe me pije, një prej të cilave Grealish e mori dhe e piu, duke sfiduar tërbimin e tifozëve. Pas ndeshjes, kur trajneri Southgejt po fliste për “Bbc Radio”, tifozët hungarezë hodhën ndaj tij kuba të vegjël akulli.

“Gjatë ndeshjes nuk kuptova asgjë, – u shpreh Southgejt. – E dinim që vendimi për t’u ulur në gjunjë do të sillte reagime, por ne mendojmë se është ajo që duhet të bëjmë. Një reagim i tillë është i papranueshëm”. Edhe mbrojtësi Stons tha se nuk i kishte dëgjuar koret raciste: “Më thanë për atë që ndodhi dhe është diçka e trishtë. Shpresoj të merren masa, ne do të vazhdojmë të luftojmë për atë që besojmë dhe që mendojmë se është e drejtë”.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë