Bota

Bashkimi Europian nuk do ta njohë qeverinë e re të talebanëve

Bashkimi Europian ka njoftuar sot se nuk planifikon që të njohë Qeverinë e re të Afganistanit, pasi ajo të formohet, por do të mbajë linjat e komunikimit me Kabulin të hapura.

“Në mënyrë që të mbështesim popullin afgan, ne do të angazhohemi me Qeverinë e re në Afganistan, por kjo nuk do të thotë se do ta njohim. Është një angazhim operacional”, tha shefi i diplomacisë së BE-së, Josep Borrell gjatë një konference për media të mbajtur.

Borrell tha se 27 vendet e bllokut evropian do të koordinojnë kontaktet e tyre me talibanët përmes një prezence të përbashkët të BE-së në Kabul për të mbikëqyrur evakuimet dhe për t’u siguruar që qeveria e re në Kabul do të përmbushë zotimet mbi çështjet e sigurisë dhe të drejtave të njeriut.

Ai shtoi se talibanët duhet të formojnë një qeveri gjithëpërfshirëse dhe përfaqësuese, të lejojë hyrjen e ndihmës humanitare dhe të lejojë shtetasit e huaj dhe afganët në rrezik që të largohen nga vendi.

“Ne kemi vendosur që të punojmë në mënyrë të koordinuar me talibanët, përfshirë edhe përmes një prezence të përbashkët të Bashkimit Europian në Kabul… nëse kushtet e sigurisë plotësohen”, tha Borrell gjatë një takimi me ministrat e Jashtëm të bllokut në Slloveni.

BE-ja gjithashtu do të kërkojë që të koordinojë angazhimin me partnerët në rajon për çështje të migrantëve dhe krimit të organizuar, tha Borrell.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë