Frenk Kesi si Xhixho Donaruma. Është ajo që te Milani urojnë të mos ndodhë, por që ditët e fundit po kthehet në diçka më shumë se një hipotezë të thjeshtë merkatoje. Historia duket e njëjtë me atë të një viti më parë: lojtari kërkon një shifër të lartë për rinovimin, kurse klubi kuqezi nuk po arrin ta bindë.
Mesfushori ka refuzuar ofertën prej 6.5 milionë eurosh në vit për të zgjatur kontratën që i skadon në qershor të 2022-ës. Janë 4 milionë më shumë se ajo që lojtari merr aktualisht. Paolo Maldini, para ndeshjes me Sampdorian, u shpreh qartë: “Rinovimet do të behen, duke ndjekur linjën e klubit”.

Me fjalë të thjeshta, nuk do të ketë çmenduri dhe totali i pagave do të mbahet gjithmonë nën kontroll, siç ka ndodhur më parë me Donarumën dhe Çalhanoglu. Rreziku është për ta humbur Kesi me parametra zero në fund të sezonit, ose ai mund të shitet në janar, kundër një shume të vogël. Rruga duket e qartë, sepse Maldini vështirë se mund t’i ofrojë më shumë “Presidentit”, siç e thërrasin mesfushorin në dhomat e zhveshjes.
Shuma më të mëdha ndërkohë, si gjithmonë, mund të vijnë nga Parisi, ku duket se nuk kanë asnjë problem me llogaritë financiare. Leonardo e ka vlerësuar gjithmonë mesfushorin nga Bregu i Fildishtë dhe nuk do që ky rast t’i ikë nga duart. Pikërisht ashtu siç bëri me Donarumën.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje