Vendi i përzgjedhur nga Kisha Ortodokse Serbe e Malit të Zi për të mbajtur ceremoninë e marrjes së detyrës së mitropolitit të ri të kësaj kishe është bërë mollë sherri mes malazezëve dhe serbëve, ku në përplasjet mes dy palëve është përfshirë edhe politika.
Ceremonia është paralajmëruar në Manastirin e qytetit të Cetinjes, një vend i pretenduar i shenjtë dhe me vlera kulturore e historike nga të dyja palët. Malazezët në këtë qytet u tubuan dhe përplasën me policinë, që përdori gaz lotsjellës për shpërndarjen e tyre.
Tensionet detyruan autobusët me klerin serb që të mos udhëtonte drejt Cetinjes, por të largohej për në Podgoricë, duke lënë për momentin të paqartë vendin se ku do të mbahet ceremonia e marrjes së detyrës së mitropolitit të ri të kishës serbe të Malit të Zi.
Cetinja, dikur kryeqytet i Malit të Zi, sot konsiderohet si kryeqendra kulturore e shpirtërore e malazezëve dhe e kishës ortodokse malazeze, që në manastirin e këtij qyteti ka të vendosur mitropolinë e saj.
Por, kisha ortodokse malazeze nuk gëzon autoqefalinë, por zyrtarisht është pjesë e kishës ortodokse serbe, që refuzon t’i japë shkëputjen. Përplasja mes dy kishave daton që prej fillimit të viteve ’90, kur në atë kohë, mitropoliti i kishës serbe të Malit të Zi, Amfilohije ftonte gjatë një riti fetar në Manastirin e Cetinjes çetnikët si Arkani, me arsyetimin se ai duhej mbrojtur nga separatistët malazez.

Për të parandaluar ceremoninë, protestuesit malazez bllokuan rrugën që të çon në këtë manastir duke vendosur goma dhe organizuar barrikada njerëzore. Protesta e tyre nxiti kundërreagimin e serbëve, që u tubuan përballë tyre në përpjekje për të liruar rrugën.
Forca të shumta policie u vendosën mes dy grupeve etnike të Malit të Zi për të shmangur përshkallëzimin e dhunës. Ceremonia e serbëve kundërshtohet nga drejtuesit vendorë të qytetit të Cetinjes dhe Partia Socialdemokrate malazeze e Presidentit Milo Gjukanoviç, madje ky i fundit ka paralajmëruar se do të dalë edhe personalisht në protestë për të ndalur ceremoninë serbe në këtë manastir.
Malazezët nuk kundërshtojnë në vetvete mbajtjen e ceremonisë së marrjes së detyrës së mitropolitit të ri të kishës serbe në këtë vend, por kundërshtojnë vendin e zgjedhur. Ata thonë se ceremonia mund të zhvillohet kudo në Malin e Zi, vetëm në Cetinje jo.
Përplasja mes dy kishave është thelluar që pas vitit 2019-n, kur qeveria e partisë së Milo Gjukanoviç në atë kohë miratoi një ligj që sekuestronte pronat e kishës nëse ajo nuk ishte në gjendje që të provonte me dokumentacion pronësinë e tyre para vitit 1918.
Në këtë periudhë, kur edhe u themelua mbretëria serbo-kroate-sllovene, kisha serbe përfitoi prona të mëdha në Mal të Zi përmes grabitjes, ku në një pjesë të mirë të rasteve këto prona u përkisnin edhe shqiptarëve në këtë vend.
Ligji shkaktoi protesta të Kishës Serbe, ndërsa Cetinja ishte i vetmi qytet në Malin e Zi me shumicë ortodokse, në të cilin nuk u organizuan tubime protestuese të Kishës Ortodokse Serbe kundër këtij ligji, për shkak se shumica e besimtarëve ortodoksë në këtë qytet janë malazezë.

Qeveria e re, që doli pas zgjedhjeve të gushtit 2020, duke rrëzuar pas 30 vitesh PDS-në e Presidentit Milo Gjukanoviç udhëhiqet nga serbët, në një koalicion bashkë me lëvizjen “Ura” të Dritan Abazoviç. Një prej vendimeve të para të shumicës së re ishte ndryshimi i ligjit, duke i mundësuar kishës serbe të Malit të Zi, që selinë e ka në Serbi, që të ruajë pronat e saj.
Tensionet në rritje kanë shqetësuar komunitetin ndërkombëtar. SHBA, BE dhe OKB kanë bërë thirrje për vetëpërmbajtje dhe dialog.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)












Lini një Përgjigje