Ambasadorja Yuri Kim kaloi një fundjavë në zonën e Dibrës, ku së bashku me homologen suedeze në Shqipëri, Elsa Hastad dhe një grup bashkëpunëtorësh ngjitën Malin e Korabit në një lartësi 2764 mbi nivelin e detit.
“Nuk e di nëse është për shkak se rrënjet e mia familjare janë në male, por gjithmonë gjej forcë dhe frymëzim mes maleve kur jam mes lartësive shqiptare”, nis Ambasadorja Kim mesazhin shoqërues të fotos së publikuar në rrjetet sociale nga maja e Korabit.
Kim, që ka rrëfyer se edhe ajo është malësore koreane, vion shënimin e shkurtër duke përccuar një mesazh në lidhje me sezonin e ri politik.
“Teksa vera u mbyll, kam reflektuar mbi sfidat dhe mundësitë që kemi përpara. Vendosa të përgatitem për sezonin e ri (politik) duke u ngjitur në majë të Shqipërisë, Mali i Korabit 2764 metra”, shkruan Ambasadorja.
Por, cilat janë sfidat dhe cilat janë mundësitë e Ambasadores? Sezoni politik që u mbyll, e bashkë me të edhe Parlamenti i vjetër kryefjala e Kim ishte drejtësia, reforma e që vijon në këtë sistem dhe rëndësinë e rezultateve konkrete.
Aksionet e fundit anti-korrupsion të SPAK në Lushnje, Pogradec dhe Ministrinë e Brendshme, me të përbashkët të gjithë abuzimet me tendera nga zyrtarë e ish-zyrtarë qendrorë e vendorë u përshëndetën nga Kim. Ato u cilësuan si hap në drejtimin e duhur dhe inkurajoi prokurorët e posaçëm për më shumë.
Mesazhin e këmbënguljes, qëndrueshmërisë dhe të ecjes përpara të kësaj reforme e përçoi edhe përmes fotos nga maja e Korabit.
“Nuk isha më e shpejta, as më e forta dhe na u desh më shumë kohë nga sa planifikuam, por këmbëngulëm dhe ja dolëm mbanë. Më kujtoi rëndësinë e përqëndrimit të objektivat tanë, të rrethuar nga miq që na japin kurajë dhe qëndrojnë me ne deri në fund, pa u dorëzuar. Hapa pas hapi, mund të arrijmë objektivat së bashku”, shkruan Ambasadorja.
Sa i takon sezonit të ri, Kim do t’i nevojiten energji të reja. Ambasadorja ka ende kapitull të hapur kërkesën drejtuar Partisë Demokratike, për t’u distancuar nga Sali Berisha, i shpallur non grata nga SHBA.
Një tjetër front i pambyllur mund të jetë edhe ai me Presidentin Ilir Meta. Ky i fundit e akuzoi para zgjedhjeve të 25 prillit se Ambasadorja po përfshihej njëanshmërisht në mbrojtje të Ramës në punët e brendshme të Shqipërisë.
Si Sali Berisha, ashtu edhe Ilir Meta kanë deklaruar më parë se edhe ata janë malësorë, ndaj sezoni i ri politik mund të na rezervojë seritë e reja të përplasjes së dy malësorëve shqiptarë me Ambasadoren Yuri Kim.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)






Lini një Përgjigje