Bota

Protestat kundër Kishës Ortodokse Serbe, dhjetëra të plagosur në Mal të Zi

Dhjetëra persona janë plagosur në protestat që u mbajtën në Mali të Zi më 5 shtator kundër ceremonisë së shugurimit të kreut të Kishës Ortodokse se në Mal të Zi, Joanikije në qytetin e Cetinjes.

Policia përdori gaz lotsjellës për të shpërndarë qindra protestues, disa prej të cilëve hodhën gurë, shishe dhe fishekzjarre në drejtim të policisë. Disa njerëz dogjën goma dhe u ulën në rrugë.

Zëvendësdrejtori i policisë në Mal të Zi, Dragan Goroviç, tha për televizionin shtetëror se 20 pjesëtarë të policisë janë plagosur, ndërsa një klinikë shtetërore në Cetinje tha se rreth 30 civilë kërkuan ndihmë mjekësore.

 Bashkimi Europian kërkoi përmbajte dhe hetime për dhunën.

“Zhvillimet në Mal të Zi janë tejet shqetësuese. Liria e tubimeve është e drejtë themelore e BE-së. Në të njëjtën kohë, ajo e drejtë duhet të përdoret pa paragjykuar shëndetin publik dhe në përputhje të plotë me sundimin e ligjit, rendin publik dhe sigurinë e të gjithë qytetarëve të Malit të Zi”, thuhet në reagimin e Bashkimit Europian. “Përdorimi i forcës duhet të jetë i matur dhe proporcional . Ne bëjmë thirrje për përmbajtje dhe presim nga organet kompetente që të hetojnë dhe sigurojnë proces të duhur gjyqësor për rastet e dhunës, si ndaj protestuesve, ashtu edhe ndaj zyrtarëve të rendit”, tha BE-ja.

Kryeministri malazez, Zdravko Krivokapic i cilësoi sulmet ndaj policisë si terrorizëm. Ai fajësoi Partinë Demokratike të Socialistëve të presidentit Millo Gjukanovic për organizimin e protestave.

Krivokapic vjen nga Fronti Demokratik pro-serb, e cila që udhëheq qeverinë malazeze, pasi vitin e kaluar rrëzoi Partinë Demokratike të Socialistëve, pas 30 vjetësh në pushtet.

Gjukanovic, i cili kundërshtoi ceremoninë, akuzoi policinë për forcë të tepruar.

Sipas tij, në Cetinje u dëshmua “turpi i madh i Kishës Ortodokse Serbe (KOS) dhe Qeverisë së Malit të Zi”.

Ambasadat e Gjermanisë, Italisë, Francës, Britanisë, Shteteve të Bashkuara dhe Bashkimit Europian dënuan dhunën.

Mali i Zi shpalli pavarësinë më 2006, por kisha e tij mbeti nën kishën serbe. Në Mal të Zi ka ndasi të thella sa i takon lidhjeve të vendit të tyre me Serbinë dhe Kishën Ortodokse Serbe. Rreth 30 për qind e popullsisë prej 600,000 banorësh të vendit identifikohen si serbë dhe e përkrahin Kishën Ortodokse Serbe.

Malazezët e tjerë dëshirojnë një kishë ortodokse të ndarë nga ajo serbe. Kundërshtuesit e ceremonisë së zhvilluar në Cetinje e shohin atë si një simbol të “pushtimit” të Malit të Zi.

Ata kërkuan që ajo të mbahet në çdo qytet tjetër malazez, përveç Cetinjës, pasi ky qytet konsiderohet si qendër kulturore dhe historike.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë