Ishin pamje shumë të shëmtuara ato që u panë në fillimin e ndeshjes Brazil-Argjentinë, e pezulluar pas ndërhyrjes së autoriteteve braziliane në fushë për faktin se katër lojtarë të skuadrës mike nuk kishin respektuar protokollin anti-Covid. Tani të gjithë duan të kuptojnë çfarë do të ndodhë, cilat janë pasojat e atij pezullimi të bujshëm.
Federata Braziliane e Futbollit ka dalë me një komunikatë, ku mbështet protestat e argjentinasve, duke u distancuar nga qëndrimi i autoriteteve lokale, që ndërhynë në stadium, sepse argjentinasit Martinez, Romero, Lo Celso dhe Buendia, të cilët luajnë në Angli, nuk bënë 14 ditët e karantinës së parashikuar nga normativa anti-Covid në Brazil.
Në Argjentinë janë të bindur se u takon fitorja në tavolinë, por çështja është në dorë të komisionit disiplinor të FIFA-s, që duhet të marrë një vendim brenda 72 orësh nga pezullimi i ndeshjes. Ka pasur polemika të ashpra për mënyrën e ndërhyrjes nga autoritetet braziliane, që hynë në fushë të armatosur. Delegacioni argjentinas është kthyer nga Brazili, pasi qëndroi për më shumë se 2 orë në dhomat e zhveshjes. Vendimtare ishte ndërhyrja e ambasadorit argjentinas, që shoqëroi Mesin me shokë deri në aeroport.

Autoritetet shëndetësore braziliane hynë në fushë për të kërkuar depërtimin e 4 lojtarëve argjentinas që luajnë në Angli, pasi ata akuzohen se kanë deklaruar një formular fals për hyrjen në tokën braziliane, duke mohuar se vinin nga Britania. Sipas normave në fuqi, kushdo që vjen në Brazil nga Britania e Madhe, duhet të bëjë 14 ditë karantinë. Katër argjentinasit nuk e kanë bërë këtë gjë. Argjentina braktisi fushën, e mbështetur më pas edhe nga vendimi i arbitrit, që pezulloi ndeshjen.
Edhe më surreale ishte ajo çfarë ndodhi gjatë tri orëve në vazhdim, me lojtarët argjentinas të mbyllur në dhomat e zhveshjes, nën vëzhgimin e funksionarëve të armatosur, që pretendonin të ekzekutonin urdhrin për deportimin e tyre. Brazili qëndroi në fushë, duke bërë një ndeshje mes titullarëve dhe rezervave.
Federata argjentinase është mbrojtur, duke deklaruar se ka respektuar rregullat e Conmebol-it dhe protokollit shëndetësor që është në fuqi. Ajo ka shtuar po ashtu se kishte rënë dakord për një “korridor shëndetësor” për më shumë se 72 orë, në linjë me atë që është bërë vitin e fundit nga çdo skuadër e huaj që ka hyrë në Brazil. Edhe Federata braziliane është në krahun e Argjentinës, duke e konsideruar atë që ndodhi si diçka të trishtë dhe pa vend. Conmebol ka qartësuar se pezullimi i ndeshjes është bërë nga një vendim arbitrat, duke hequr çdo përgjegjësi për Argjentinën.
Duke qenë se bëhet fjalë për një kompeticion të organizuar nga FIFA, çështja është kompetencë e organizmit që drejton futbollin botëror. Përtej polemikave dhe shkakut të pezullimit, dyshimet më të mëdha lidhen me kohën dhe mënyrën e ndërhyrjes së autoriteteve shëndetësore lokale, 3 ditë pas mbërritjes në Brazil të delegacionit argjentinas.
Në këtë situatë, dy janë skenarët e mundshëm që po diskuton FIFA: luajtjen e ndeshjes në një datë që mbetet për t’u përcaktuar, ose dhënia e fitores në tavolinë Argjentinës dhe marrja e masave ndaj Brazilit (për shembull, dënimi i fushës). Argjentina nuk e rrezikon humbjen në tavolinë, sepse braktisja e fushës u bë pas vendimit të drejtuesve të ndeshjes.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje