Frenk Riberi është një nga ata futbollistë që nuk lodhen kurrë. Ai mbetet një nga më të mirët e gjeneratës së tij. Ka një karrierë të pasur mbi supe, kryesisht me Bajern Mynih, ku ka luajtur për 12 sezone dhe ka fituar 9 tituj. Numra fantastikë për 38-vjeçarin, nëse i hedh një sy palmaresit të tij: 6 Kupa Gjermanie, 1 Champions, 1 Superkupë UEFA, 4 Superkupa Gjermanie. Nga 2019-a në 2021-shin ka veshur fanellën e Fiorentinës dhe tani ka vendosur të përjetojë një tjetër sezon në Itali, por me Salernitanën, ku i është bërë një pritje madhështore. Francezi ka disa sekrete, ju zbulojmë disa prej tyre.

Fëmijëria – Riberi ka mësuar menjëherë të përballojë vështirësitë. Ai është braktisur nga prindërit e tij natyralë, por për fat të mirë ka gjetur një familje që i ka falur gjithë dashurinë e botës. Është rritur në Boulogne-sur-mer, një qytet industrial, ku është përballur me shumë vështirësi, ndërsa futbolli ka shpëtuar atë dhe të afërmit e tij.
Incidenti – Incidenti që ka pësuar që kur ishte fëmijë nuk është një sekret, por sigurisht që është një episod që ka kushtëzuar fuqishëm jetën e tij. Ishte vetëm 2 vjeç, kur bëri një aksident rrugor bashkë me prindërit. Përplasja ishte aq e fortë, sa që ai doli jashtë mjetit. Shpëtoi për mrekulli, por goditja i ka lënë çikatriçe të dukshme në fytyrë. Dhe jo vetëm. “Askush nuk më shihte dhe nuk më gjykonte nga aftësitaë e mia teknike. Të gjithë, dhe kur them të gjithë nuk përjashtoj asnjë, komentonin aspektin tim fizik dhe më gjykonin nga larg, komentonin fytyrën time dhe plagën që kisha. Ofendimet e djemve të tjerë ishin të dhimbshme, por ato që më bënin më shumë keq ishin ato të të rriturve që më paragjykonin me vështrimin e tyre”, – ka treguar kampioni.

Jo kirurgjisë estetike – Në këto vështirësi, Riberi ka arritur të gjejë edhe anën pozitive. “Nuk i nënshtrohem kurrë kirurgjisë estetike dhe e dini pse? Sepse kjo plagë është pjesë e imja. Më ka bërë një njeri më të mirë dhe nuk dua për asnjë arsye në botë ta heq”. Kështu, Scarface (siç e thërrisnin tifozët e Gallatasarajit), ka hyrë në zemrën e të gjithëve.
Besimi islam – Riberi është një burrë që e ka ndryshuar jetën e tij për dashurinë. Është konvertuar në mysliman, duke marrë emrin Bilal Yusuf Mohammed, pas martesës me Uahiba Belhami (bashkë kanë 5 fëmijë). Me origjinë algjeriane, ajo është shumë e ndjekur në rrjetet sociale dhe është bashkë me Riberi që kur kanë qenë fëmijë. Konsiderohet si një grua e fortë: në 2010-ën e fali bashkëshortin për skandalin me Zahia Dehar dhe shkoi në Afrikën e Jugut për të bërë tifo për Frankun, i impenjuar në Botëror. Nëse nuk është dashuri kjo…

Forma – Bota arabe e ka goditur totalisht, edhe në tavolinë. Mes pjatave të preferuara të francezit është edhe “cous cous”-i, një ushqim tipik oriental. Natyrisht, gjatë periudhës së Ramazanit nuk ha dhe nuk pi gjatë ditës. Riberi kujdeset shumë për ushqimin dhe ruan formën fizike. Në rrjetet sociale poston seancat e shumta stërvitore. Me pushime, por edhe në palestrën e tij personale. Objektivi mbetet gjithmonë i njëjtë: të mos dorëzohet kurrë.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje