Kuvendi mblidhet këtë të premte dhe Sali Berisha e tha troç dhe prerë se ai do të jetë pjesë.
Ai nuk i la asnjë hapësirës Lulzim Bashës për të bërë të kundërtën, as për të menduar për variantet e tjera alla Basha që të jetë por edhe të mos jetë në Kuvend (si deputet i pavarur) si dhe e lajmëroi publikisht se lëvizja e tij do të jetë e drejtpërdrejtë nëse e përjashtojnë nga grupi
Me pak fjalë Berisha i tregoi Bashës rrugën për fatin e tij politik, në një kohë kur PD ndodhet në kuotat e saj më të ulta.
Ironikisht Berisha (që nuk mori aq vota zgjedhjet e fundit sa për të ngritur gjithë këtë tymnaje kërcënimi) sa e thumboi aq edhe e “shpëtoi” Bashën nga sikleti i tij politik.
Tani Basha e ka edhe më të qartë justifikimin para ndërkombëtarëve se (pavarësisht premtimeve “off record” që ky i fundit mund tu ketë dhënë dhe makinacioneve politike që po përdor “underground”) ai nuk ka çfarë t’i bëjë ‘doktorit’, pasi në të kundërt do kenë atë (Berishën) përballë apo se ai ka dy alternativa; ose të përjashtojë Berishën, ose t’i përçahet partia
Berisha e kurseu sërish edhe pse shumëkush mund të mendojë të kundërtën. Të paktën publikisht.
Berisha
“Ditën e premte Sali Berisha do jetë në Parlament në përputhje të plotë me vullnetin e zgjedhësve shqiptarë. Nuk fshihem prapa mandatit, sovranitetit, prapa dinjitetit. Unë bëj gjithçka për të mbrojtur dinjitetin tim, sovranitetin e vendit tim. Në asnjë lloj rrethane nuk mund ta shkelmoj atë përveçse ta respektoj. Dinjiteti njerëzor është thelbi i lirisë së njeriut. Mandati i Sali Berishës është i Parlamentit, jo i deputetit. Nuk bëj asgjë tjetër me aktin tim, përveçse i nënshtrohem sovranitetit, i nënshtrohem Parlamentit dhe dinjitetit njerëzor. Më mbështesin me qindra, jo demokratë, njerëz që nuk kanë votuar kurrë Sali Berishën”, tha ai.
Berishë e cilësoi kthimin në Kuvend si kapitull të ri, se atë mund ta ndalte vetëm i plotfuqishmi (zoti) dhe se beteja e tij me Ramën do të ishte e drejtpërdrejtë.
“Aty do të kem përpara Edi Ramën dhe e garantoj se do të ketë një opozitarizëm, që atij do t’i duken lule ato që kanë qenë përpara, sepse ai ka treguar ligësinë e pafundme shpirtërore për të eliminuar kundërshtarët me shpifje dhe mashtrime. Këtë s’e ka bërë njeri, kurrë”.
I ftuar në emisionin “Noë”, Berisha konfirmoi se do të jetë deputet i Partisë Demokratike, paçka se disa zëra në PD mbështetës të Lulzim Bashës kishin propozuar një zgjidhje as mish e as peshk që ai të ishte në Kuvend por si deputet i pavarur.
Berisha nuk fshehu nervozizmin kur u pyet për këtë “ofertë” të re nga PD.
Sali Berisha vuri disa pika mbi “i” kur foli për herë të parë dhe shkoqur mbi atë çfarë përfaqësonte sot PD.
Berisha tha se PD ndodhej në piken me kritike të saj që prej themelimit, tha se kish bërë opozitë më shumë se kushdo tjetër duke denoncuar me emra ata që të tjerë as “nuk guxonin t’i përmendnin”, tha se do të jetë në Kuvend si deputet i PD-së dhe paralajmëroi Bashën se do të ndërmarrë lëvizjet e tij politike nëse merret një vendim për ta përjashtuar atë.
“Raportet e mia me zotin Basha, me Partinë Demokratike dhe cilindo tjetër, ndërtohen mbi bazën e parimit ndaj një qëllimi të caktuar. Unë u qëndroj atyre parimeve, nuk i ndryshoj kurrë.
Por nesër, nëse PD-ja apo kushdo të ndërmerrte një vendim aparimor, do bëja gjithçka që PD-ja të bëhej ajo e para.
Asnjë lloj kufizimi nuk mund të ketë. Kam pasur dhe kam influencë shumë të fuqishme në PD dhe kjo buron nga fakti se unë kam mbrojtur interesat e asaj partie dhe demokratëve me vendosmërinë më të madhe…”
Vetëm nëse PD do të fitonte zgjedhjet, Berisha tha se do të linte mandatin e deputetit.
Ai këmbënguli për protesta, (të pa artikuluara nga Basha) kërkoi qe PD-ja të fokusohet tek reforma territoriale (siç e ka kërkuar edhe Basha) por përfshiu edhe sfidën e LSI-së në Kuvendin e ardhshëm atë të denoncimit të patronazhistëve.
Berisha disa herë këmbënguli se nuk është ai që i merr vendimet në PD, se nuk ndikoi ai për djegien e mandateve apo bojkotin zgjedhjeve lokale, por për herë të parë zbuloi se me denoncimin e listës së patronazhistëve, ai mund të rishikonte vendimin që e djathta të mos marrte pjesë në zgjedhjet parlamentare që lamë pas.
“Njeriu bie në betejë, por duhet të ringrihet. Opozita duhet të bëjë gjithçka për një strategji, të një bashkimi sa më të gjerë jo vetëm të forcave opozitare por të të gjitha elementeve thelbësore të shoqërisë.
Opozita tani, në vlerësimin tim, duhet ta bëjë natën ditë. Të ngrejë protesta, revolta, në parlament, jashtë parlamentit…”
Sipas tij, nuk do të ketë zgjedhje të tjera nëse opozita nuk ndërgjegjëson botën për masakrën që është bërë.
“Në zgjedhjet e 2025-ës nuk do të ketë më zgjedhje, por farsë totale, do jetë farsë,” shtoi ai.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje