Talibanët emëruan një klerik të linjës së ashpër sunite si udhëheqës suprem të Afganistanit. Mawlawi Haibatullah Akhundzada, 55 vjeç, është edhe udhëheqës i grupit radikal fondamentalist. Ai siguroi këtë post në maj të vitit 2016, disa ditë pasi udhëheqësi i dytë i talibanëve, Mullah Akhtar Mohammad Mansur, u vra në një sulm të SHBA-së me dron, në jugperëndim të Pakistanit.
“Akhundzada është një figurë fetare që zotëron respekt të jashtëzakonshëm për shkak të kredencialeve të tij fetare”, thotë gazetari afgan, Sami Yousafzai. “Ai ishte gjykatës i lartë taliban dhe bashkëpunëtor i ngushtë i themeluesit të lëvizjes, Mullah Mohammad Omar. Është një dijetar islamik dhe ka shkruar disa libra për çështjet fetare”, thotë Yousafzai.
Sipas tij, pas rënies së regjimit taliban në vitin 2001, kur Afganistani u pushtua nga forcat e huaja, Akhundzada iu bashkua udhëheqësve të lëvizjes për të kërkuar strehim në provincën jugperëndimore të Pakistanit, Baluçistan. Ai ka udhëhequr një medrese pranë kryeqytetit të Baluçistanit”, thotë Yousafzai.
“I siguroj të gjithë bashkatdhetarët se figurat do të punojnë drejt respektimit të rregullave islame dhe Ligjit të Sheriatit”, tha Akhundzada pas emërimit.

Deklaratat e fundit të talibanëve lënë të kuptohet se Akhundzada do të përcaktojë drejtimin strategjik të Qeverisë së re në, siç thonë ata, Emiratin Islamik të Afganistanit.
“Udhëheqësi i Emiratit Islamik ofroi udhëzime gjithëpërfshirëse dhe i bëri të gjithë të vetëdijshëm për përgjegjësitë e tyre”, tha zëdhënësi i talibanëve.
Nën udhëheqjen e Akhundzadas, talibanët shënuan fitore diplomatike dhe ushtarake. Ai gjithashtu negocioi me sukses një marrëveshje për paqe me Shtetet e Bashkuara.
Marrëveshja e arritur në shkurt të vitit 2020 në Doha të Katarit shtroi rrugën për tërheqjen e SHBA-së dhe të forcave aleate nga Afganistani.
Tani kur makina ushtarake talibane pushtoi me shpejtësi Kabulin dhe pjesën më të madhe të Afganistanit, Akhundzada përballet me një mori sfidash.
Nën udhëheqjen e tij, talibanët mund të jenë nën presion për të fituar legjitimitet ndërkombëtar, për të zgjidhur krizën e brendshme ekonomike ose për të ofruar qeverisje të mirë për afro 38 milionë banorët e Afganistanit, të cilët, përveç sigurisë, pritet të kërkojnë prosperitet dhe liri personale.

Qeveria e re
Talebanët emëruan po ashtu Mullah Hasan Akhundin si kreun e qeverisë së re të përkohëshme të Afganistanit dhe Mullah Abdul Ghani Baradarin, kreun e zyrës politike, në postin e zëvendës kryeministrit.
Sarajuddin Haqqani, djali i themeluesit të rrjetit Haqqani, të përfshirë në listën e organizatave terroriste nga Shtetet e Bashkuara, do të jetë ministri i ri i brendshëm, tha zëdhënësi i Talebanëve Zabihullah Mujahid në një konferencë shtypi në Kabul.
Mullah Mohammad Yaqoob, i biri i Mullah Omarit, është emëruar si ministër i mbrojtjes. Të gjitha emërimet janë të përkohëshme, tha zëdhënësi Mujahid në një konferencë shtypi në Kabul.
Emërimi i një grupi figurash me peshë nga elementë të ndryshëm të lëvizjes së ashpër islamike, nuk përçon ndonjë sinjal për lëshime të mundshme ndaj protestave që shpërthyen në Kabul gjatë ditës, kur ektremistët talebanë qëlluan në ajër për t’i shpërndarë ato.
Talebanët janë përpjekur vazhdimisht të sigurojnë afganët dhe vendet e huaja se nuk do t’i rikthehen brutalitetit të regjimit të tyre të dy dekadave më parë, të karakterizuar nga ndëshkimet e dhunshme dhe ndalimi i grave dhe vajzave nga jeta publike.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje