Deputetja e zgjedhur dhe nënkryetare e PD-së, Jorida Tabaku, bazuar në disa artikuj mediash që i referohen rritjes së çmimit të apartamenteve në Tiranë, komentoi në Facebook se kjo situatë po çon në zhdukjen e shtresës së mesme.
“Pak ditë më parë në media u publikuan të dhënat në lidhje me rritjen e pagave dhe rritjen e çmimeve të apartamenteve në Tiranë. Të dhënat që kishin si burim INSTAT dëshmonin atë që opozita ka proklamuar prej kohësh, zhdukjen e shtresës së mesme dhe rritjen e numrit të të varfërve në vend. Kjo ekonomi e pabarabartë dhe që nuk prodhon rritje ekonomike të shqiptarëve mund të prodhojë vetëm një polarizim të tejskajshëm.
Arsyet që kanë çuar në këtë situatë janë pashmangshmërisht të lidhura me politikat ekonomike dhe fiskale të qeverisë Rama.
Vendosja e politikave fiskale si taksa progresive deri me 23% dhe që ka shkatërruar sistemin e tatimit mbi të ardhurat personale si dhe vendosja e taksave abuzive në kundërshti me çdo logjikë fiskale kanë ndikuar negativisht. Për rrjedhojë shtresa e mesme taksohet më shumë se sa pjesa tjetër e popullsisë dhe kjo prodhon pamundësinë për t’u ngjitur në shkallën e mirëqenies”, shkruan ajo.
Tabaku nënvizon se vendi po përballet me një inflacion të importuar nga kriza e pandemisë, dhe se qeveria sipas saj nuk ka një plan të qartë dhe të koordinuar se çfarë do të ndodhë me post-krizën.
“Këtyre duhet t’i shtojmë edhe situatën me borxhin publik që duket se ka prekur 100% të PBB-së, kontratat me PPP janë gjithashtu një barrë për buxhetin. Pra, buxheti nuk ka më para për t’ia hedhur ekonomisë, qytetarët shihen si një lopë për t’u mjelë.
Zgjidhja në këto kushte është ndryshimi total i logjikës së politikës fiskale dhe mënyrës se si i qasemi qytetarëve. Ky i fundit duhet të jetë në piedestal të sistemit tatimor. Biznesi duhet të jetë në fokus të sistemit tatimor.
Jam e sigurt që kjo nuk vjen dot nga kjo qeveri, sikundër e sigurt që forcimi i shtresës së mesme, profesionisteve, dhe vlerësimi i punës nuk vjen dot nga këto njerëz që drejtojnë në humnerë vendin prej 8 vitesh!”, shkruan ajo
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje