Bota

Tentoi të shpëtonte kameramanin në ujë, humb jetën tragjikisht ministri rus

Ministri rus i Emergjencave Civile, Yevgeny Zinichev,  ka humbur jetën në mënyrë tragjike gjatë një seance stërvitore në Arktik këtë të mërkurë.

Mediat e huaja raportonjnë se 55-vjeçari Zinichev, i cili kishte kryesuar ministrinë e Emergjencave Civile që nga viti 2018, vdiq ndërsa tentoi të shpëtonte jetën e dikujt tjetër.

Mediat ruse shkruajnë se “Zinichev vdiq në mënyrë tragjike gjatë kryerjes së detyrave të tij zyrtare gjatë stërvitjeve ndër-departamentale për të parandaluar situatat e krizës në Arktik, duke tentuar të shpëtojë jetën e dikujt”.

Mësohet se një kameraman kishte rënë nga një shkëmb gjatë një interviste televizive.

“Ai dhe kameramani ishin buzë një shkëmbi. Kameramani rrëshqiti dhe ra në ujë”, – tha Margarita Simonyan, drejtuese e rrjetit televiziv rus, RT.

Zinichev nxitoi për ta shpëtuar dhe vdiq, pasi u përplas me një shkëmb. Kameramani dhe regjisori i filmit Alexander Melnik, 63 vjeç, vdiq gjithashtu.

Melnik ishte regjisor dhe skenarist filmash. Ai po planifikonte një dokumentar mbi zhvillimin e Arktikut dhe Rrugës së Detit Verior të Rusisë.

Ndërkohë, Zinichev ishte në Arktik për të mbikëqyrur stërvitjet në shkallë të gjerë, ku dhe vizitoi vendin e ndërtimit të një stacioni të ri zjarrfikës në Norilsk.

Para se të bëhej ministër, Zinichev kishte qenë zëvendësdrejtor i Shërbimit Federal të Sigurisë dhe ushtrues i detyrës së guvernatorit rajonal të Kaliningradit.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë