Futboll

Rregulli i FIFA-s, pezullohen me një ndeshje ata që nuk shkuan në kombëtare

Argjentinasit që kthehen nga kualifikueset e Botërorit në Premier Ligë janë të detyruar të bëjnë karantinë, por nuk u ka shkuar më mirë brazilianëve, të cilët nuk shkuan në kombëtare pas vendimit të klubit ku bëjnë pjesë. Tetë lojtarët që nuk fluturuan drejt Brazilit nuk mund të luajnë në ndeshjet e kësaj fundjave.

Federata Braziliane e Futbollit ka kërkuar aplikimin e një rregulli të FIFA-s, që përjashton për 5 ditë ata lojtarë që nuk i përgjigjen ftesës së kombëtares. Kështu, Liverpuli nuk do të ketë të gatshëm Roberto Firminon, Fabinjon dhe Alisonin, Mançester Siti Edersonin dhe Gabriel Jesusin dhe Lidsi Rafinjën.

Alison, Fabinjo dhe Firmino, tre brazilianët e pezulluiar të Liverpulit. Gazeta Si, 9 shtator 2021

Më keq ka shkuar situata për Çelsin dhe Mançester Junajtid, pasi Tiago Silva dhe Fred nuk mund të luajnë në Ligën e Kampionëve, përkatësisht ndaj Zenitit (që ka humbur Malkolm dhe Klaudinjon) dhe Jang Bojsit të martën e ardhshme, sepse pezullimi vlen nga 10 deri më 14 shtatori.

Vendimi i klubeve angleze për të mos lejuar lojtarët amerikano-jugorë të shkojnë në kombëtaret e tyre erdhi për faktin se kush udhëton në vendet e listës së kuqe, do të humbte disa ndeshje për shkak të karantinës së detyruar prej 10 ditësh që kërkohet në Britaninë e Madhe. I vetmi që “shpëton” është sulmuesi i Evertonit, Riçarlison. Brazili nuk ka kërkuar ndëshkimin e tij, sepse Evertoni e lejoi të luante në Tokio 2020.

Edhe federatat e Meksikës, Paraguait dhe Kilit i kanë kërkuar FIFA-s të pezullojë Raul Jimenez, Miguel Almiron dhe Fransisko Sierralta për këtë fundjavë. Presidenti i FIFA-s, Xhani Infantino, i ka kërkuar qeverisë britanike të përjashtojë futbollistët nga karantina.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë