Futboll

Botërori çdo 2 vjet, Italia i bashkohet korit kundër: Interes i ngushtë i FIFA-s

Propozimi i FIFA-s për të përgjysmuar kohën e Botërorit, duke e organizuar atë çdo dy vjet, nuk u pëlqen aspak ligave kombëtare, që janë bashkuar kundër këtij projekti. Korit që kërkon anulimin e këtij projekti i është bashkuar edhe Italia.

Në “World Leagues Forum”, Luixhi De Siervo, administratori i Serisë A, është shprehur: “Historia dhe tradita e Botërorit çdo 4 vjet, ashtu si Olimpiadat, nuk mund të prishet pa vlerësuar impaktet negative që sjell një ndryshim i tillë. Pas betejës kundër Super Ligës, të gjitha ligat botërore, pjesëtare të “World Leagues Forum”, janë kundër këtij sulmi të ri ndaj integritetit sportiv të kampionateve tona”.

Luixhi de Siervo, administratori i Serisë A. Gazeta Si, 9 shtator 2021

Më pas drejtuesi italian sulmon direkt FIFA-n: “Ky propozim synon vetëm t’i garantojë FIFA-s data të reja për t’i shfrytëzuar nga ana komerciale, në dëm të interesit të tifozëve, kampionateve kombëtare dhe klubeve, që duhet kujtuar se janë të vetmit që paguajnë paraqitjet sportive të lojtarëve”.

“World League Forum” nga ana e vet ka bërë me dije se do të kundërshtojë çdo propozim për organizimin e Botërorit çdo dy vjet. “Drejtuesit e FIFA-s nuk mund të transformojnë diçka kaq të bukur në një event të zakonshëm vetëm për interesat e tyre afatshkurtra. Botërori çdo dy vjet do të kishte pasoja të rënda ekonomike për futbollin, duke dëmtuar futbollistët me një kalendar, që edhe në këtë moment është shumë i ngjeshur”, – shkruhet në njoftimin zyrtar të kësaj organizate.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë