Ne rrjet

Tragjedia me 14 të vdekur në Tetovë: Spitali COVID nuk përmbushte asnjë nga parametrat e sigurisë

Të paktën 14 pacientë dhe pjesë e stafit mjekësor të spitalit Covid në Tetovë kanë ndërruar jetë pas një shpërthimi në spitalin ku po kuroheshin kundër Covid-19; shpërthim që më pas çoi në një zjarr masiv. Edhe pse u përfol për shpërthimin e bombolave të oksigjenit, shkaku mbetet ende i paqartë, ndërkohë që ngjarja pritet të marrë përmasa edhe më tragjike.

Ky spital modular ka nisur të ndërtohet në fillim të vitit me vonesa të shumta, ndërsa nga mesi i prillit, Drejtoria e Spitalit të Tetovës ka ngritur shqetësimet mbi disa shkelje të sigurisë gjatë ndërtimit të spitalit nga firma ndërtuese, të cilat e bënin të pamundur evakuimin në rast fatkeqësie natyre. Mediat tregojnë se ishte i ndërtuar me materialin e njohur si ‘sanduiç’ të cilat digjen menjëherë në rast zjarri.

Në Maqedoninë e Veriut ka gjithsej 17 spitale modulare dhe për ndërtimin e tyre, janë shpenzuar 3.6 milionë euro. Të gjitha ato janë ndërtuar nga kompania “Brako”, që është në pronësi të ish-zëvendëskryeministrit maqedonas, Koço Angjushev.

Një deputet opozitar maqedonas, Vladimir Gorçev ka kërkuar marrjen e përgjegjësisë nga kryeministri Zoran Zaev dhe ministri Venko Filipçe, pikërisht lidhur me cilësinë e ndërtimit por edhe aferën korruptive falë të cilës kompania mori tenderin për ndërtimin e spitalit.

“Spitali i përkohshëm i COVID në Tetovë u ndërtua shpejt, për shkak të interesave të biznesi.. Zaev dhe Filipçe duhet të japin dorëheqjen dhe të mbajnë përgjegjësi ”, tha Gorçev.

Ndërkohë, Qeveria e Maqedonisë së Veriut, ka shpallur tre ditë zie për nder të viktimave. Paraprakisht edhe Këshilli Komunal i Tetovës, ka shpallur tre ditë zie në këtë qytet, duke premtuar të ndihmojë financiarisht të gjitha familjet e viktimave për të mbuluar shpenzimet e varrimit.

Pas akuzave për cilësinë e ndërtimit dhe mos respektimin e protokolleve të sigurisë, Ministria e Shëndetësisë në Shkup ka dalë me reagim zyrtar, duke deklaruar se të gjitha spitalet modulare në shtet janë ndërtuar sipas standardeve të larta mjekësore dhe të sigurisë. Ajo thekson se spitalet në Tetovë, janë hapur pas kontrollit teknik.

“Gjatë ndërtimit të të gjitha spitaleve modulare, materialet e përdorura janë të certifikuara. Ministria e Shëndetësisë informon se qendra e COVID -it në Tetovë është projektuar me tre hyrje, korridoret janë të gjera 2.4 metra dhe parmakët e dritareve janë të ulëta për raste evakuimi. Në këto objekte nuk është përdorur dru, dhe janë vendosur të gjitha elementet tjera të nevojshme për mbrojtje”, thotë njoftimi.

Disa javë më parë, mediat kishin ngritur shqetësime se spitali i rrezikuar në rast zjarri pasi kishte dysheme silikoni, nivel të lartë sifoni në tualet, ndërkohë që një pjese e ulluqeve ishin shkrirë.

Por qeveria maqedonase këmbëngul se spitalet covid në Tetovë i posedon të gjitha certifikatat e nevojshme për mbrojtje nga fatkeqësitë.

Pse spitalet COVID janë të rrezikuara nga zjarri

Zjarret me shkak përhapjeje oksigjenin mjekësor nuk janë një fenomen i ri, por janë më të zakonshme në sallat operative ku oksigjeni administrohet në mënyrë rutinore.

Në këto mjedise, protokollet e rrepta të sigurisë normalisht duhet të zbatohen dhe stafi kirurgjikal duhet të trajohet mirë për t’u marrë me rreziqet për çdo rast. Për më tepër, ato përfshijnë një njësi të ventilimit të oksigjenit dhe mjedisi i pasur me oksigjen është i përqendruar rreth fytyrës së pacientit. Për shkak të pandemisë së Covid, ka shtim të pranisë së ventilatorëve me oksigjen, të disponueshme kryesisht në njësitë e kujdesit intensiv.

Kjo ka çuar në rritje të kërkesës së sistemit elektrik, e cila në disa raste mbingarkon sistemet e furnizimit me energji elektrike. Do të thotë gjithashtu se, për shkak të rritjes së numrit të ventilatorëve të oksigjenit, rritet edhe përqendrimi i oksigjenit në ato ambiente. Duke pasur parasysh se njësitë infektive kanë një shkallë të ulët të shkëmbimit të ajrit me mjedisin e jashtëm, potenciali për përhapje të flakëve është më i madh.

Tragjedia e Tetovë ka ndodhur edhe në disa vende të tjera si India, Iraku, Rusia, Egjipti, Turqia, Rumania etj. Në spitalin indian 13 pacientë ndërruan jetë si pasojë e flakëve gjatë muajit mars. Në Rusi 28 pacientë u evakuuan për shkak të flakëve të përhapura. Ende sot nuk dihet shkaku i zjarrit në këto dy vende, ndonëse hetimet vijojnë.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë