Futboll

Boateng dënohet për dhunë ndaj ish-shoqes, duhet t’i paguajë 1.8 milionë euro

Fajtor, ndaj duhet dënuar! Zherom Boateng, ish-mbrojtësi i Bajern Mynih dhe Gjermanisë duhet të dëmshpërblejë ish-shoqen e tij (dhe nëna e dy vajazeve të tij), Sherin Senler, me 1.8 milionë euro. Ky është vendimi që ka marrë gjykata në fund të procesit, ku Boateng akuzohej për dhunë.

Gjithçka nisi në vitin 2018, kur çifti ishte me pushime në Maldive, bashkë me disa miq. Ish-mbrojtësi, gjatë një loje me letra, humbi kontrollin dhe i hodhi duart në fyt shoqes së tij. Ajo e akuzoi gjatë lojës se e kishte mashtruar, duke e nxehur keq. Dhe aty situata degjeneroi. Sipas rrëfimit të gruas (që gjykata e ka marrë të mirëqenë), Boateng, në gjaknxehtësi e sipër, e shtyu atë dhe më pas e goditi me grushte në shpinë, e pështyu dhe hodhi drejt saj një copë xhami.

Zherom Boateng me fanellen e Gjermanise. Gazeta Si, 9 shtator 2021

Boateng u paraqit të enjten në gjykatë dhe, sipas versionit të tij, zënka e dhunshme nisi për faj të ish-shoqes. Ai tha se për t’u mbrojtur e kishte shtyrë, duke e plagosur aksidentalisht. Por dëshmitarët nuk e kanë konfirmuar këtë version, ndaj dhe gjykata vendosi ta dënojë për ta dëmshpërblyer gruan për 60 ditë me rrogën neto në kohën e ngjarjes.

Ndëshkimi maksimal në të tilla raste është 30 mijë euro në ditë dhe për këtë arsye Boateng, që paguhej shumë në atë kohë, duhet të paguajë 1.8 milionë euro. Pra, ai duhet të paguajë 30 mijë euro në ditë për 2 muaj. Në Gjermani dënimet jepen në bazë të rrogës (në 2014-ën Rojs u dënua me 500 mijë euro gjobë, sepse drejtonte makinën pa patentë). Kërkesa e akuzës, përveç gjobës, ishte që Boateng të dënohej me 1 vit e 6 muaj liri me kusht, por gjykata u mjaftua vetëm me gjobë. Gjykata konsideroi dy vajzat e çiftit si “viktimat” e vërteta të ngjarjes.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë