Politike

Legjislatura e 10-të nis punën, seanca e parë drejtohet nga Luljeta Bozo

Legjislatura e re e Kuvendit nisi me këndimin e himnit kombëtar dhe pasi deputetët zunë vendet e tyre, seancën e hapi deputetja më e vjetër në moshë, socialistja, Luljeta Bozo. Pas përfundimit të fjalës, Bozo prezantoi sekretariatin e përkohshëm të Kuvendit dhe nisi me leximin e emrave të 140 deputetëve.

Hapi tjetër është ngritja e një komisioni të përkohshëm për verifikimin e mandateve, që përbëhet nga 9 deputetë dhe që rregullorja thotë se në përbërje duhet të reflektojë për aq sa është e mundur balancat e mazhorancë-opozitë. Sipas këtij parashikimi, ky Komision mund të ngrihet me 5 anëtarë nga PS dhe 4 nga PD e LSI.

Komisioni shqyrton dokumentacionin e zgjedhjeve dhe i paraqet Kuvendit në seancë plenare raportin për vlefshmërinë e mandateve të deputetëve të Kuvendit. Pas këti hapi, bëhet zgjedhja e kryetarit të ri. Kryetari i Kuvendit zgjidhet pa debat dhe me votim të fshehtë, me shumicën e votave, në prani të më shumë se gjysmës së të gjithë anëtarëve të Kuvendit. Në rast se asnjë nga kandidatët nuk ka fituar shumicën e kërkuar, vijohet me një raund të dytë, ku votohet për dy kandidaturat që kanë marrë më shumë vota. Pas përfundimit të procesit dhe pasi ka një fitues drejtuesi i seancës fton menjëherë Kryetarin e Kuvendit të zërë vendin e tij.

Përfundimi i gjithë këtyre procedurave pason miratimin e Qeverisë së re. Edi Rama, emri i të cilit ka mbërritur në Presidencë si i mandatuar për Kryeministër nga PS, ka më pas 10 ditë kohë që të paraqesë para Kuvendit për miratim përbërjen dhe programin e Qeverisë së re dhe më pas t’i drejtohet Presidencës për betim.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë