Pas propozimit për të organizuar Botërorin çdo dy vjet, të përqafuar nga FIFA dhe të kundërshtuar nga UEFA, Arsen Venger, përgjegjës për zhvillimin botëror për federatën ndërkombëtare, vjen me një tjetër ide interesante. Ai mendon se me kalendarin aktual ka shumë ndërprerje kampionatesh për kualifikueset e kombëtareve, kështu që është më mirë që ato të grupohen në një të vetme në muajin tetor.
Diskutimet për reformën e kalendarëve ndërkombëtarë të futbollit vazhdojnë të jenë të shumta. Venger, prej dy vitesh përgjegjës për zhvillimin e futbollit në FIFA, së fundi është ndalur te pushimet e kampionateve për ndeshjet e kombëtareve.

“Aktualisht ka një ndërprerje të parë në shtator, pastaj e dyta në tetor, e treta në nëntor dhe e katërta në mars. Në qershor nis ndërprerja e fundit dhe në korrik nis sezoni i ri. E gjitha kjo është shumë, – ka thënë gjatë një takimi në Katar ish-trajneri i Arsenalit. – Duhen grupuar fazat e kualifkueseve dhe gushti e shtatori duhet t’u dedikohen turneve të klubeve. Tetori mund të jetë i gjithi për kualifikueset. Nga nëntori e deri në fund të sezonit sërish hapësirë klubeve”.
Pastaj Venger ka folur edhe për temën e Botërorit çdo dy vjet, që kundërshtohet nga ligat dhe UEFA. “Vendosëm ta riorganizojmë kalendarin ndërkombëtar të ndeshjeve, sepse 166 vende na kanë kërkuar që të luhet Botërori çdo dy vjet. Të shohim, nëse mund të ndryshohet ose jo, sepse jemi në demokraci, por jam i bindur se plani im është ai i duhuri.
Misioni ynë është të përmirësojmë kualitetin e kompeticioneve në nivel botëror. Shqetësimi kryesor është numri i ndeshjeve, janë shumë. Duam gara më domethënëse, po përqendrohemi te cilësia, jo te sasia. Më pak ndeshje, më pak kompeticione dhe më pak ndërprerje për kombëtaret, më pak transferta dhe më shumë pushim për lojtarët”, – është shprehur Venger.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje