Abissnet Superiore, siç quhet tashmë kampionati ynë elitar, pasi ka marrë emrin e sponsorit, ka filluar mbarë për Teutën dhe keq për Partizanin. Dy pretendentët për titull u ndeshën në Elbasan, ku të buzëqeshur në fund dolën durrsakët. Ka bërë debutimin në kampionat edhe VAR-i, që akordoi penalltinë e parë pas rishikimit të pamjeve filmike.
Pas shkelmimit simbolik të topit nga ish-kapiteni i Teutës sezonin e fundit, Renato Arapi, ka nisur ndeshja e parë e kampionatit mes Teutës dhe Partizanit. Durrsakët, kampionë në fuqi, kanë qenë me fat dhe kanë përfituar nga dy gafa të Partizanit, e para nga kapiteni Alban Hoxha dhe e dyta nga braziliani Stenio Zhunior.
Hoxha i dhuroi golin e fitores Teutës, duke gabuar fatalisht në largimin e topit nga zona e tij. Ai e përplasi topin te sulmuesi kundërshtar, Gorgiev, dhe pastaj e pa të përfundonte në rrjetën e tij. Në pjesën e dytë të kuqve u erdhi në ndihmë edhe VAR-i, që akordoi një penallti për një prekje të topit më dorë nga mbrojtësit durrsakë, por Zhunior gjuajti jashtë nga pika e bardhë.
Gjatë 20 minutave të fundit, trajneri Ilir Daja hodhi në fushë edhe Kaçen, Malën dhe Albion Markun, tre nga afrimet e fundit të merkatos së kuqe, megjithatë asgjë nuk ndryshoi dhe Partizani e ka nisur me humbje kampionatin. Teuta merr tri pikë të rëndësishme në aspektin moral, ndaj një rivali direkt, edhe pse ishte me shumë fat në “Elbasan Arena”.
Të shtunën luhen dy ndeshje të tjera të javës së parë, Tirana-Skënderbeu dhe Laçi-Vllaznia, ndërsa të dielën zhvillohen dy sfidat e fundit, Kastrioti-Dinamo dhe Egnatia-Kukësi.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje