Prej 2013-s, kur Lulzim Basha u zgjodh në krye të Partisë Demokratike në çdo përvjetor të vrasjes së Azem Hajdarit në krah kishte Sali Berishën dhe familjarët e udhëheqësit të lëvizjes studentore të ’90. Këtë herë jo.
Lulzim Basha u shfaq me një grup bashkëpunëtorësh të ngushtë të PD-së në ceremoninë e vendosjes së luleve në memorialin e ngritur në vendin e vrasjes së Azemit, pranë ish-selisë së Partisë Demokratike në qendër të Tiranës.
Basha shoqërohej nga “kupola” drejtuese e partisë, nga Sekretari i Përgjithshëm, Gazment Bardhi, nënkryetarët Alfred Rushaj, Enkelejd Alibeaj, Jorida Tabaku e Grida Duma dhe deputeti Belind Këlliçi. Ky përvjetor e gjen Partinë Demokratike në ato që duken si fazat e para të krizës së saj më të madhe, që prej vrasjes së Azem Hajdarit; përplasjen Basha-Berisha. Megjithatë, për Bashën asgjë nuk ka ndryshuar.
“Sot, si çdo 12 shtator, përkujtojmë liderin e Lëvizjes Studentore, njeriun që ndezi shpirtrat dhe vrau frikën e shqiptarëve anembanë vendit për liri dhe demokraci, të paharrueshmin Azem Hajdari dhe mikun e bashkëluftëtarin e tij, Besim Çera”, thuhet në deklaratën e shpërndarë nga zyra e shtypit të PD.

Basha thotë se “vepra dhe sakrifica e Azem Hajdarit mbetet model frymëzimi për të mos iu nënshtruar dhunës së regjimit, për të luftuar me vendosmërinë e heroit të demokracisë dhe për të çuar deri në fund idealin e Shqipërisë si gjithë Europa”.
Në fund, kreu i demokratëve përçon mesazhin e bashkimit, sidomos në këto kohë paqartësish të mëdha për Partinë Demokratike.
“Mirënjohja dhe krenaria për Azem Hajdarin na bashkon, sidomos kur fatet e demokracisë janë të pasigurta dhe perspektiva europiane e Shqipërisë kërcënohet nga regjimi i pakicës së korrupsionit dhe krimit. Si demokratë ne mbajmë në zemrat tona kujtimin më të mirë për tribunin e pavdekshëm, që sot e përgjithmonë na nxit të qëndrojmë dhe të luftojmë të bashkuar deri në triumfin e lirisë dhe demokracisë”, deklaron ai.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje