Futboll

Video/ Dinamo rikthehet me fitore në elitë, edhe Kukësi u përgjigjet rivalëve

Java e parë e kampionatit është mbyllur sot, me ndeshjet Kastrioti-Dinamo dhe Egnatia-Kukësi. Kanë fituar dy skuadrat mike, Dinamo dhe Kukësi, duke u dhënë një sinjal rivalëve se janë edhe ata në garën e titullit kampion këtë sezon.

Dinamo, që rikthehet në futbollin elitar shqiptar pas 9 vitesh, mposhti Kastriotin në stadiumin e Kamzës me rezultatin 0-2. Të dy golat u shënuan në pjesën e parë nga sulmuesi afrikan, Stefen Çinedu. Skuadra kryeqytetase pati edhe raste të tjera në vazhdim, por në pjesën e dytë e uli pak ritmin e lojës, duke menduar më shumë për administrimin e rezultatit.

Trajneri Bledi Shkëmbi ka debutuar me fitore në stolin dinamovit. Tifozët blu, të cilët mezi e kanë pritur rikthimin e “nëndetëses”, siç njihet nga të gjithë Dinamo, nuk kanë munguar në stadium, ndërkohë që me shumë interes prej tyre priten derbit me Partizanin dhe Tiranën.

Ka fituar edhe Kukësi në fushën e Rrogozhinës, me rezultatin 1-3. Daci dhe Peposhi shënuan në pjesën e parë për skuadrën e drejtuar nga trajneri italian, Diego Longo. Egnatia shkurtoi diferencën në minutën e fundit të ndeshjes me Bruno Telushin, ndërsa Milunoviç realizoi edhe golin e tretë për Kukësin në kohën shtesë. Një përgjigje kjo nga ana e kuksianëve për rivalët e tyre, që e kanë nisur kampionatin me fitore.

Abissnet Superiore, java e parë
Teuta-Partizani 1-0
Laçi-Vllaznia 3-5
Tirana-Skënderbeu 4-2
Kastrioti-Dinamo 0-2
Egnatia-Kukësi 1-3


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë