Futboll

Video/ Leao-Ibrahimoviç, Milani kalon Lacion dhe kryeson me pikë të plota

Me nga një gol në secilën pjesë, Milani ka mundur Lacion 2-0 në “San Siro”, në javën e tretë të Serie A. Kuqezinjtë kryesojnë me pikë të plota kampionatin, bashkë me Napolin, që të shtunën mundi Juventusin.

Golin e avantazhit për Milanin e shënoi Leao në minutën e 45-të. Lojtari portugez hapi bukur aksionin, që e mbylli po vetë me një diagonale të saktë në zonë. Para përfundimit të pjesës së parë, Kesi humbi një penallti, duke goditur traversën. Goli i dytë për Milanin u shënua nga Ibrahimoviç, 7 minuta pasi sulmuesi veteran ishte futur në fushë. Në të dy golat, asistin e ka dhënë kroati Rebiç.

Lacio ka bërë një ndeshje shumë të dobët dhe trajneri Mauricio Sarri nuk e ka kontrolluar dot nervozizmin. Ai ka hyrë në fushë në fund dhe është ndëshkuar me karton të kuq. Elseid Hysaj e nisi titullar ndeshjen dhe ishte ndër më aktivët për skuadrën e tij.

Interi është ndalur këtë javë në fushën e Sampdorias, ku barazoi me rezultatin 2-2. Kampionët e Italisë kaluan dy herë në avantazh me Dimarkon dhe Lautaro Martinezin, por në të dy rastet u barazuan nga skuadra vendëse. Kjo ishte ndalesa e parë për skuadrën e Inzagit.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë