Politike

Flutura Açka flet për mbylljen e degëve tek Universiteti i Elbasanit: Vetëm dy studentë për gjuhë-letërsi, ku po shkojmë me arsimin

Deputetja e Partisë Demokratike për Elbasanin, Flutura Açka, ka evidentuar një problem të dukshëm që po shfaqet në këtë qark me arsimin.    

“Në Elbasan mbyllen shkollat e katër fshatrave, në Universitetin e Elbasanit mbyllen shumë degë studimi

E ndoqa me trishtim njoftimin e mbylljes së katër shkollave të fshatrave të Elbasanit: Shmil, Preçaj i poshtëm, Kryezjarrth dhe Gracen. Një pjesë e tyre tani janë foto të muzeve të ronitur a dokumentarëve të dikurshëm.

Të paktët fëmijë, jo më shumë se dhjetë prej tyre, të fshatrave Kryezjarrth dhe Gracen, do t’iu duhet të bëjnë më shumë kilometra në fshatrat e afërta, ku ka ende shkolla në këmbë. Shkollat e tyre, nëse do të vazhdohet ky erozion i fshatrave shqiptare, do të kthehen së shpejti në stalla.

E pra, na ndajnë vetëm pak ditë nga fillimi i shkollës dhe regjistrimi i fëmijëve në shkolla thuajse ka mbaruar”, shkruan ajo.

Açka thotë se i njëjti fenomen po shfaqet edhe tek Universiteti i Elbasanit.

“Një fat të përafërt ka edhe Universiteti i Elbasanit, vitet e fundit iu mbyllën 13 degë dhe këtë vit në Degën e Gjuhë e Letërsi Shqipe janë regjistruar vetëm dy studentë, me shpresë se do të vijnë edhe të tjerë.

Kësisoj, tre vite më pas, Elbasani i Normales, i cili edukoi shqiptarinë për 100 vite paprerë e në të gjitha viset, do t’i dhurojë Shqipërisë vetëm dy të diplomuar në gjuhë e letërsi, ndoshta ndonjë adhurues i gjuhës a ndonjë shkrimtar i talentuar…”, shkruan ajo.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë