Ka mjaftuar seanca e tretë e Kuvendit që Partia Demokratike të largohet nga salla. Arsyeja? Ndarja e vendeve në tetë komisionet e përhershme parlamentare.
Pasi kryetarja e Kuvendit, Lindita Nikolla lexoi propozimet e mazhorancës dhe opozitës për anëtarë në këta komisione, ku nuk figuronte asnjë deputet i LSI-së, Petrit Vasili tha se nuk ishin informuar nga sekretaria e Kuvendit për të bërë edhe ata propozimet e tyre.
Kreu i grupit parlamentar socialist, Taulant Balla e mbështeti kërkesën e Vasilit, ndërsa fajësoi për këtë Partinë Demokratike, që sipas tij kishte propozuar anëtarë nëpër komisione më shumë nga sa i lejon rregullorja e Kuvendit dhe përfaqësimi që ka në këtë Kuvend.
“PD të rishikojë propozimet e veta në numrin që ka propozuar për anëtarë të komisioneve, pasi grupi i PD të ketë mbi 70 deputetë në sallën e Kuvendit. Shumica duhet të ruajë komisionet, PS ka deputetë efektivë për pjesëmarrje në komisione, 60 deputetë dhe nëse e përpjestojmë me 8 ne mund të përmbushim një shumicë nëpër komisione. PD ka sjellë propozime që tejkalojnë numrin e deputetëve të saj. Duhet sjellë parimi një deputet për një komision, se kështu është e pamundur që të ruhet shumica nëpër komisione”, tha Balla.
Kreu i grupit parlamentar të PD, Alfred Rushaj e kundërshtoi dhe kërkoi me vijimin e seancës. Ai deklaroi se PD i ka dorëzuar propozimet konform rregullores.
E gjendur përballë dy kërkesave dhe me propozimin e Taulant Ballës që anëtarët e komisioneve të zgjidhen në seancën tjetër dhe këtë seancë të zgjidhej vetëm kryesia e tyre, kryetarja Lindita Nikolla e hodhi për votim.
Në këtë moment, Lulzim Basha u ngrit nga vendi dhe kërkoi që të vijohej me procedurën pa ndryshuar rendin e ditës. Ai akuzoi kryetaren Nikolla se “ishte një manekine që merrte urdhra nga Taulant Balla” dhe la seancën. Gjatë largimit u ndoq nga deputetët e tjerë demokratë, përfshirë këtu edhe Sali Berishën, megjithëse ky i fundit edhe zyrtarisht është jashtë grupit parlamentar demokrat.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)



Lini një Përgjigje