Ne rrjet

Von Der Leyen: Në fund të shtatorit nis një tur ballkanik, integrimi i rajoni i rëndësishëm për BE

Në fjalimin e saj vjetor në Parlamentin Europian, presidentja e ekzekutivit të BE-së, Ursula Von der Leyen është ndalur gjatë edhe tek Ballkani Perëndimor, duke thënë se investimet në rajon janë investime në të ardhmen e BE-së.

Ajo përsëriti qëndrimin e bllokut për procesin e zgjerimit dhe rëndësinë që ka Ballkani Perëndimor për të ardhmen e BE-së.

Në përpjekje për të treguar edhe njëherë mbështetjen e saj për integrimin e Ballkanit Perëndimor në Bashkimin Evropian, Von Der Leyen ka theksuar se do të mbajë një vizitë zyrtare brenda këtij muaji.

“Para fundit të muajit, do udhëtoj në Ballkan për të përçuar angazhimin tonë për anëtarësimin në BE.  Ne ia kemi detyrim këtë të rinjve, që besojnë në të ardhmen evropiane. Investimet në Ballkanin Perëndimor janë investime në të ardhmen e Bashkimit Evropian”, tha ajo dhe shtoi se për këtë qëllim, BE-ja është duke zbatuar plane të veçanta për investime në vendet e rajonit.

Von der Leyen tha se investimet e BE-së në Ballkanin Perëndimor përbëjnë 1/3 e prodhimit bruto të rajonit.

Ajo foli edhe për masat që ka ndërmarrë BE-ja që kur ka nisur pandemia e koronavirusit, duke përmendur suksesin e bllokut në vaksinim, ndihmën me vaksina për vendet e tjera dhe miratimin e planit për t’iu ndihmuar shteteve anëtare për rimëkëmbje ekonomike

“Nëse reflektoj mbi vitin e kaluar dhe gjendjen e Bashkimit Evropianit unë shoh një shpirt të fortë në gjithçka që bëjmë. Në krizën kryesore globale të shëndetit ne jemi bashkuar për të siguruar që të gjitha skajet e Evropës të kenë vaksina dhe ne kemi vazhduar me brezin e ardhshëm të BE -së dhe me marrëveshjen e Gjelbër. Ne kemi vepruar si një Evropë e bashkuar dhe mund të jemi krenar për këtë “, tha Von der Leyen.

Von der Leyen nënvizoi se prioritet i unionit është shpërndarja e vaksinave duke bërë me dije se deri në mesin e vitit të ardhshëm në vendet me të ardhura të ulëta do të shpërndahen 200 milionë doza.

“Të mos shndërrohet në një pandemi e të pavaksinuarve. Duhet të marrim masa për të përballuar një tjetër situatë të rëndë shëndetësore, sepse kemi mjetet e duhura shkencore”, u shpreh presidentja para euro deputetëve.

Në anën tjetër presidentja e Komisionit Evropian ka theksuar se ndihmat për afganët do të shtohen ndjeshëm. 

“Ne jemi pranë afganëve. Ne duhet të bëjmë gjithçka për të shmangur rrezikun e një krize urie dhe një katastrofe humanitare. Për këtë ne do të rrisim ndihmën tonë për Afganistanin me 100 milion euro, pjesë e një pakete të re mbështetëse për” Afganistanin ” Me njoftoi presidenti.

Von der Leyen ka paralajmëruar gjithashtu një deklaratë të përbashkët BE-NATO deri në fund të vitit.  Ajo nënvizoi se Evropa ka nevojë për një shpirt, një ideal dhe dëshirën e politikes për t’i shërbyer këtij ideali.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë