“Kjo është situata jonë, kjo është ajo që jemi”, – tha Zherard Pike, kapiteni i Barcelonës, pas humbjes 0-3 ndaj Bajernit në “Camp Nou”. Mbrojtësi, që e ka dhënë tashmë shembullin e tij me reduktimin e pagës, nuk i bëri bisht situatës së rënduar të katalanasve dhe është diçka që impresionon ta dëgjosh atë të flasë kështu.
Fjalët e Pike i përsëriti edhe trajneri Koeman pak minuta më pas. Dhe këtu kemi të bëjmë me një pikë të rëndësishme të krizës së Barcelonës, me dorëzimin e saj. Në fakt, skuadra u duk e dorëzuar që në minutën e parë ndaj Bajernit, katalanasit hynë në fushë të terrorizuar nga 8-2 i bavarezëve vetëm 13 muaj më parë. Barcelona nuk bëri rezistencë të fortë ndaj humbjes, që mund të ishte shumë më e thellë, nëse bavarezët nuk do ta luanin ndeshjen me gjysmë gazi.

Pike u largua nga stadiumi dy orë pas përfundimit të ndeshjes, rreth orës një të natës, presidenti Joan Laporta pas orës dy. Në atë kohë kishte përfunduar mbledhja e emergjëncës, që Laporta zhvilloi me Mateu Alemany, përgjegjësin e sektorit teknik, dhe Rafael Yuste, krahun e djathtë të presidentit. Sot në mëngjes ka pasur një tjetër mbledhje.
Raportet mes drejtuesve të klubit dhe trajnerit Koeman janë të tensionuara, në fije të perit, nga ankesat e tij dhe shigjetat në shtyp. Një situatë e papranueshme, por Barcelona nuk e ka buxhetin për të shkarkuar holandezin dhe për të gjetur një tjetër trajner. Laporta, kur u kthye si president, nuk donte ta konfirmonte Koemanin, pasi nuk vlerëson asgjë tek ai, por nuk gjeti një alternativë dhe e mbajti. Koeman e di mirë këtë gjë.
Dy ditë më parë tha në Holandë se klubi ka një të ardhme vetëm se është ai që fut të rinjtë të luajnë dhe kështu bëri ndaj Bajernit, duke aktivizuar tre djem të datëlindjeve 2002-2004, Gavi, Demir dhe Balde. Ata mund të jenë e ardhmja, por nuk mund të bëjnë asgjë në të tashmen shumë të komplikuar.
“Kemi të rinj interesantë, – ka thënë Pike, – do të kthehen edhe të dëmtuarit”. Po, Barcelonës i mungojnë shumë Ansu Fati, Dembele dhe Aguero, por të shohim kur dhe si do të kthehen. I pari ka pasur një dëmtim të rëndë dhe është kuruar keq, është jashtë prej një viti, i dyti dëmtohet edhe duke ngjitur shkallët, kurse i treti në 2021-shin ka luajtur pak.

E sigurt është se kush zgjodhi Luk de Jong për të zëvendësuar Grizmanin, ka pasur shumë kurajë. Holandezi që qëndronte në stol te Sevilja, luajti titullar ndaj Bajernit. Natyrisht, mbi gjithçka peshon largimi i Lionel Mesit, që nga debutimi i tij në Champions ka shënuar 120 gola për Barcelonën.
Për këto arsye, “Camp Nou” është mbuluar nga një re depresioni. Krahasimi me të shkuarën e lavdishme është i tmerrshëm. Katalanasit kishin 38 ndeshje pa humbje në Champions, tani vijnë pas 3 humbjesh radhazi: Juventus, PSG dhe Bajern. Nuk kishte ndodhur kurrë në historinë europiane të këtij klubi. Tani mbetet të shihet se çfarë do të vendosë Laporta për Koemanin.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje