Futboll

Video/ Legia u falet dy shqiptarëve, Muçi dhe Kastrati dhurojnë spektakël në Moskë

Legia e Varshavës dhe shqiptarët, një histori dashurie. Klubi polak vitet e fundit ka pasur në gjirin e vet sulmuesin Armando Sadiku dhe trajnerin Besnik Hasi, por nëse këta të dy nuk kanë lënë gjurmë, ndryshe është historia me Ernest Muçin dhe Lirim Kastratin.

Të dy këta futbollistë kanë hyrë nga stoli dhe i kanë dhënë një fitore shumë të rëndësishme sot Legias në Moskë, në ndeshjen me Spartakun, e vlefshme për xhiron e parë të fazës në grupe të Ligës së Europës. Polakët fituan 0-1 dhe goli erdhi në kohën shtesë, u gatua nga Muçi dhe u finalizua nga Kastrati.

Ish-lojtari i Tiranës dhe Kombëtares befasoi me një driblim në anësore dhe me një sprint alla-Bejl, për të gjetur pastaj në zonë sulmuesin kosovar, që nuk fali, por e dërgoi topin në rrjetë. Një gol me shumë peshë për Legian, që bën pjesë në Grupin C, bashkë me Spartakun e Moskës, Leiçesterin dhe Napolin.

Pas ndeshjes, Muçi ka marrë komplimentet nga kapiteni i skuadrës, që e ka ngritur në qiell. Kujtojmë që Muçi ka realizuar disa gola të bukur nga jashtë zonës me fanellën e Legias, edhe pse aktivizohet si zëvendësues. Përveç tij dhe Kastratit, te polakët është transferuar pak kohë më parë edhe Jurgen Çelhaka, i cili sot qëndroi gjithë kohën në stol.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë