Futboll

Video/ Liverpuli fiton sfidën e përmbysjeve, Reali hesht “San Siron” në fund

Minuta e fundit e kohës së rregullt ka qenë fatale për Interin në ndeshjen me Realin. Rodrigo, i aktivizuar në pjesën e dytë nga Ançeloti, ka shënuar golin e fitores për madrilenët, duke bërë që në “San Siro” të plakosë heshtja. Ishte një ndeshje që u duk se do të mbyllej në barazim, por në fund fati u ka buzëqeshur spanjollëve. Interi e nis me humbje në fushën e tij.

Liverpuli dhe Milani, dy ekipe tradicionale të Championsit, kanë dhuruar spektakël në “Anfield”, ku në fund festuan anglezët. Ndeshja nisi shumë mirë për Liverpulin, që kaloi në avantazh shpejt, pas një devijimi të pafat të Tomorit në gjuajtjen e Aleksandër-Arnold. Portieri Maingan mbajti në lojë Milanin, duke pritur një penallti të Salah.

Përmbysja e parë do të vinte në fundin e pjesës së parë, kur Rebiç dhe Diaz tronditën anglezët dhe e çuan rezultatin në 1-2. Me fillimin e pjesës së dytë erdhi edhe përmbysja e dytë. Mohamed Salah barazoi shifrat dhe pas tij mesfushori Henderson i dha avantazhin 3-2 skuadrës së trajnerit Jurgen Klop me një gjuajtje të fuqishme nga jashtë zonës. Trajneri Pioli ndërhyri nga stoli, por rezultati mbeti i pandryshuar deri në fund.

Rezultat surprizues mbrëmjen e sotme ishte barazimi 1-1 i PSG-së në fushën e Bryzhit. Mesi, Nejmar dhe të tjerët nuk mundën ta nisnin me fitore, edhe pse luanin ndaj një kundërshtari modest në kompeticionin europian. Fitore të thella kanë arritur në ndeshjet e sotme Ajaksi, që mundi 1-5 Sportingun në Lisbonë, ku 4 gola i realizoi sulmuesi Haler, si dhe Mançester Siti, që mposhti 6-3 Lajpcigun.

Në dy ndeshjet e orës 18:45, Borusia Dortmund fitoi 1-2 në fushën e Beshiktashit, ndërsa surprizën e kanë bërë moldavët e Sherif Tiraspolit, të cilët në debutimin e tyre në grupet e Championsit mundën 2-0 Shakhtarin.

Ndeshjet e sotme
Beshiktash-B.Dortmund 1-2
Sherif Tiraspol-Shakhtar 2-0
Atl.Madrid-Porto 0-0
Bryzh-PSG 1-1
Inter-Real Madrid 0-1
Liverpul-Milan 3-2
Mançester S.-Lajpcig 6-3
Sporting-Ajaks 1-5


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë