Futboll

Champions/ Tredhëmbëshi i ëndrrave të PSG-së stonoi ndaj Bryzhit “tokësor”

Spektakël dhe rezultate të papritura mbrëmjen e së mërkurës në Ligën e Kampionëve. Në grupin e yjeve, Mançester Siti mundi Lajpcigun në ndeshjen me më shumë gola, 6-3, ndërsa PSG-ja e treshes Mbape-Mesi-Nejmar u ndal në mënyrë surprizë nga belgët e Bryzhit në barazim, 1-1.

Ishte një ndeshje zhgënjyese për PSG-në e trajnerit Poketino. Ta nisësh aventurën në Champions me një 1-1 ndaj një skuadre modeste, nuk të bën të ëndërrosh për fitimin e trofeut më të rëndësishëm për klubet. Në “Jan Breydel Stadion” të gjithë prisnin të shkëlqenin Mesi, Nejmar dhe Mbape, për herë të parë të tre nga minuta e parë, por golin e vetëm për francezët e realizoi Ander Herrera.

Mesi i zhgenjyer pas barazimit ndaj Bryzhit. Gazeta Si, 16 shtator 2021

PSG u duk se e kishte ndeshjen nën kontroll dhe mund të dyfishonte me Mbape, i shërbyer nga Mesi, por portieri Mignolet nuk e lejoi. Parisienët morën një goditje në minutën e 27-të, kur gjuajtja e Vanaken, e devijuar në rrëshqitje e sipër nga Kimpembe, befasoi Navasin dhe shifrat u barazuan në 1-1.

Belgët madje ishin afër golit të avantazhit me De Ketelaere, i cili u ndal nga Navas. Në fillim të pjesës së dytë u dëmtua Mbape, duke prishur kështu tredhëmbëshin e mrekullive. Në fushë u fut Ikardi. Në fund u përpoq të bënte diçka Mesi, por “pistoleta” e tij ishte bosh. Gjuajtjet e tij ishin qendrore ose jashtë kuadratit. Dy skuadrat kanë ndarënë fund nga një pikë, që sigurisht kënaq belgët.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë