Gjatë prezantimit të pjesës së programit të mandatit të tretë qeverisës që lidhet me politikën e jashtme, Kryeministri Edi Rama tha se Shqipëria do të vazhdojë të shtyjë përpara nismën “Ballkani i Hapur”, pavarësisht kundërshtimit të Kosovës.
“Ballkani i Hapur nuk është lojë e Serbisë, nuk është konspiracion rus. Të gjitha këto janë përralla me gogol për të treguar pranë zjarrit digjital në një luftë nga kolltuku dhe Facebook me një armik të deridjeshëm, të cilin Kosova, Shqipëria dhe kombi shqiptar e kanë mundur përfundimisht në luftën me armë 20 vite më parë”, tha ai.
Rama u shpreh se nisma u shërben brezave aktualë dhe brezave të rinj.
“Foshnjat që lindën në atë luftë, që sot janë bërë për t’u martuar nuk ja kanë për borxh politikës që luan luftrash me Serbinë. Nuk e kanë borxh që Kosova e nxitur edhe nga Tirana, për politika elektorale të brendshme të humbasë në paqe të gjitha kreditet ndërkombëtare që janë fituar me gjak, dhimbje dhe punë të mundshme diplomatike”, vijoi Rama.
Kryeministri mirëkuptoi vendimin e autoriteteve në Prishtinë dhe kërkoi që edhe ato të mirëkuptojnë vendimin e autoriteteve në Tiranë për këtë nismë.
“Për Kosovën ne vetëm flasim. Për të vendosur vendosin ata atje. E njëjta gjë vlen edhe anasjelltas. Këtu vendosin autoritetet shqiptare. Jeni kundër, hajde flasim, por jo të hidhet baltë sa andej këndej me terma jo tradhtar, jo filorus, jo filokinez”, tha ai.
Rama përsëriti se Ballkani i Hapur është pjellë e procesit të Berlinit, si vetëdije e rajonit për të ecur më shpejt dhe për të mos pritur burokracitë e BE-së për këtë nismë.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje