Futboll

Debutim magjik i Haler tek Ajaksi, hyn në historinë e “pokeristëve” të Championsit

Një mbrëmje e magjishme, një debutim i pabesueshëm në skenën më të madhe të futbollit europian në nivel klubesh. Sebastien Haler luajti ndeshjen e parë në Ligën e Kampionëve me fanellën e Ajaksit në fushën e Sportingut të Lisbonës.

Sulmuesi 27-vjeçar ka hyrë menjëherë në histori: askush para tij nuk ka mundur të shënojë 2 gola gjatë 9 minutave të para të një ndeshjeje të Ligës së Kampionëve. Dopieta e shpejtë dhe më pas edhe dy gola të tjerë në pjesën e dytë në ndeshjen debutuese të Championsit për lojtarin nga Bregu i Fildishtë, i datëlindjes 1994, e futin atë në klubin e “pokeristëve” të kompeticionit.

Sebastien Haler, 27 vjeç. Gazeta Si, 16 shtator 2021

Katër gola në një ndeshje Championsi më parë kanë arritur të shënojnë emra të mëdhenj, si Lionel Mesi, Kristiano Ronaldo, Zllatan Ibrahimoviç, Robert Levandovski, Marko Van Basten, Rud Van Nistelroi, Andrei Shevçenko, por edhe të tjerë si Olivier Zhiru, Josip Iliçiç, Luis Adriano, Serzh Gnabri, Dado Përso, Bafetimbi Gomis, Mario Gomes, apo edhe Simone Inzagi, trajneri aktual i Interit.

Dhe të mendosh që Ajaksi “harroi” ta regjistronte këtë lojtar në listën e Championsit sezonin e shkuar. Këtë herë nuk e bëri këtë gabim dhe bëri mirë, pasi që në debutim Haler ka treguar vlerat e tij me 4 gola.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë