Ishte dita më e keqe e mundshme për BE-në-dhe Francën, fuqinë më të madhe europiane në fushën e mbrojtjes, kur mësuan se nuk llogariten si fuqi gjeostrategjike jashtë kontinentit.
Vetëm disa orë para se shefi i politikës së jashtme të BE Josep Borrell të zbulonte të enjten strategjinë e Europës për këtë rajon, ai u mposht nga një lëvizje e papritur e Amerikës, Britanisë dhe Australisë. Të tre vendet njoftuan një pakt historik që do të lejonte bashkëpunimin në teknologjinë më të lartë ushtarake dhe do të lejonte Canberra të ndërtonte nëndetëse me energji bërthamore.
Vendimi i Presidentit Joe Biden për të formuar aleancën strategjike Indo-Paqësore me Australinë dhe Britaninë për t’iu kundërvënë Kinës ka zemëruar sidomos Francën dhe Bashkimin Euopian.
Ajo që ishte më e rëndë për vendet e BE -së ishte fakti që Britania ishte aleati i vetëm europian i ftuar në tryezën e parë. Vendet europiane po ndihen të mënjanuare dhe e shohin këtë veprim si një kthim në epokën e Presidentit Trump.
Nisma është ndër hapat e fundit, nga Afganistani deri në Azinë Lindore, që kanë befasuar Evropën.
Pasi u premtoi udhëheqësve europianë se “Amerika është kthyer” dhe se Shtetet e Bashkuara do të ndiqnin modelin e diplomacisë shumëpalëshe në politikën e tyre të jashtme, Presidenti Biden zemëroi shumë aleatë me veprimet e tij të njëanshme për disa çështje të rëndësishme. Ministri i Jashtëm i Francës e quajti lëvizjen e fundit të Presidentit Biden, një “goditje pas shpine”, dhe shefi i politikës së jashtme të BE -së u ankua se Evropa nuk ishte konsultuar.
Franca do të humbasë një marrëveshje me vlerë gati 100 miliardë dollarë për ndërtimin e nëndetëseve për Australinë, si rezultat i nismës së re, sipas së cilës, Shtetet e Bashkuara dhe Britania do të furnizojnë Kanberrën me nëndetëse me energji bërthamore.

Zemërimi francez në një nivel thjesht komercial do të ishte i kuptueshëm, veçanërisht pasi Franca, që nga viti 1997 kur Britania hoqi dorë nga kontrolli i Hong Kongut, është i vetmi vend evropian që ka zona të konsiderueshme territoriale dhe një prani të përhershme ushtarake në Paqësor.
Por zyrtarët francezë dhe ata të Bashkimit Evropian shkuan më tej, duke thënë se marrëveshja vë në pikëpyetje të gjithë përpjekjen bashkëpunuese për të zbehur ndikimin në rritje të Kinës dhe nënvizon rëndësinë e planeve të lëna pasdore të Brukselit për të rritur aftësitë mbrojtëse të Evropës.
Disa analistë i kanë krahasuar veprimet e fundit të Presidentit Biden me ato të paraardhësit të tij, Donald Trump, të bazuara në doktrinën “Amerika e Para”. Kjo është befasuese për një president të zhytur në çështjet ndërkombëtare, i cili gjatë fushatës për president u zotua se do të përmirësonte lidhjet e tronditura me aleatët dhe do të rikthente besueshmërinë e Shteteve të Bashkuara në skenën botërore.
Megjithëse është e pamundur të parashikohet nëse do të kenë një dëm afatgjatë, ndikimi afatshkurtër duket se ka ringjallur dyshimet e evropianëve për qëllimet e amerikanëve, që mund të kenë pasoja më të gjëra mbi përpjekjet e Presidentin Biden për të bashkuar demokracitë botërore kundër autoritarizmit, të fokusuara kryesisht ndaj Kinës dhe Rusisë.
Vetëm tre muaj më parë, në vizitën e tij të parë në Evropë si president, Biden u përshëndet si një hero nga homologët evropianë të etur për tejkalimin e tensioneve transatlantike të krijuara gjatë mandatit të Presidentit Trump. Por ajo ndjenjë e dukshme lehtësimi tani është zbehur për shumë njerëz.
Që nga qershori, Presidenti Biden ka zemëruar aleatin më të vjetër të Amerikës, Francën, e ka lënë Poloninë dhe Ukrainën me shumë pikëpyetje rreth angazhimit të Shteteve të Bashkuara për sigurinë e tyre dhe ka zemëruar Bashkimin Evropian me vendimet e njëanshme për rajonet si Afganistani dhe Azia Lindore. Ndërsa Evropa brohoriste kur Presidenti Biden u zotua të kthehej në negociatat bërthamore me Iranin dhe të ringjallte bisedimet e paqes mes izraelitëve dhe palestinezëve, përpjekjet në lidhje me këto dy çështje vazhdojnë të jenë të bllokuara nëntë muaj pas fillimit të mandatit të tij.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje