Politike

Vërejtjet e Braçes për programin: Nuk po taksojmë të pasurit! Po na ikin punëtorët

Erjon Braçe ishte i vetmi nga deputetët socialistë që pati disa vërejtje dhe sugjerime në lidhje me programin e prezantuar nga Kryeministri Edi Rama.

Braçe tha se programi është ambicie që e kalon mandatin 4-vjeçar të qeverisjes dhe për këtë kërkohet një listë reformash. “Si aspiratë dhe dëshirë, që na ndryshojnë e shtyjnë përpara drejt një modeli rigjenerues e shpërndarës, përfshirës na duhet”, u shpreh ai.

Ai rendit shtatë pika ku duhet të përqendrohet qeveria e re. Së pari është demokracia. Këtu fajëson edhe opozitën, që e quan të mjerë. Braçe propozon reformim të Kuvendit.

“Është jetike një nisje e re e demokracisë duke nisur nga këtu, me një reformë të Parlamentit, që në sytë e njerëzve dhe për shkakun tua duket aq i vjetër, i lodhur, i padobishëm. Një dimension i ri duhet ofruar për njerëzit e zakonshëm me pjesëmarrje në të dhëna, komunikim, dialog, vendimmarrje, deri tek demokratizimi i ekonomisë”, tha ish-zv.kryeministri.

Pika e dytë e propozuar nga Braçe është drejtësia.

“Të rienergjizojmë reformën në drejtësi, ta shtyjmë përpara në të njëjtën rrugë duke përmirësuar dhe mbajtur duart larg të cilitdo politikan, biznesmen e kriminel që synon t’i fusë atje”, u shpreh Braçe.

Si pikë të tretë, Braçe foli për pabarazinë shoqërore. Ai tha se mes njerëzve ajo gëlon dhe foli për ndarje të pabarabartë të të ardhurave nga puna dhe fitimet.

“Statistikat e të ardhurave nga puna/ rrogat që paguhen sot reflektojnë pabarazi e polarizim të thellë. Paga mesatare mujore në sektorin e aktiviteteve financiare, banka dhe jo vetëm është 2. 13 herë më e madhe se mesatarja në nivel kombëtar, por në bujqësi është 36.7 % më e vogël se kjo mesatare; Paga në grup profesionin menaxher është 74.3 % më e madhe se mesatarja në nivel kombëtar, por në grupin e punëtorëve është 38.7% më e vogël se kjo mesatare”, deklaroi ai.

Deputeti socialist flet për pabarazi edhe mes biznesit dhe propozon tatim progresiv edhe për biznesin.

“Ne tatojmë progresivisht vetëm të ardhurat nga puna; tatimi mbi fitimet e të mëdhenjve VIP është i sheshtë dhe i ulët sa s’ka. Të shohësh xhiron, fitimin, tatimin mbi fitimin e 100 VIP-ave të ekonomisë sonë, kupton se kemi shumë, shumë punë për të bërë. Takso të pasurit nuk është urrejtja e Erion Braçes kundër të pasurve të këtij vendi, nga Samir Mane tek Fiqiri Ismaili. Por është një ekuilibër i ri në sistemin fiskal që vendos drejtësi duke mbledhur të ardhurat e çdo punëtori, çdo sipërmarrësi- fitime nga kapitali, dividentët, aksionet, qiratë, depozitat etj. dhe tatuar në shkallë progresive të arsyeshme, që mbron fort punëtorët dhe shtresën e mesme”, tha ai.

Pika e katërt ku u ndal Erjon Braçe ishte paga e ulët nga puna, që sipas ish-zv.kryeministrit po largon nga vendi fuqinë punëtore.

“Po humbim punëtorë prej rrogave dhe kushteve të tjera të punës; Në bujqësi në gjashtë muajt e fundit kemi humbur 29.000 punëtorë. Rroga e referuar nga INSTAT aty është vetëm 35. 580 lekë”, tha ai.

Më pas, Braçe thotë se nevojitet një model rigjenerues konkurrence.

“Punëtorët në një treg konkurrues kane më shumë punë, liri për të zgjedhur nisur nga kushtet, mbrojtja dhe mundësia për të negociuar pagë më të mirë e më të lartë; Bizneset e vogla dhe bujqit në një treg konkurrues kanë zgjedhje midis zotëruesve të mallrave, të inputeve bujqësore – farërave dhe plehrave kimike, zotëruesve të mjeteve të punës, grumbulluesve dhe eksportuesve që në këtë vend vendosin shpesh arbitrarisht të nënçmojnë punën dhe produktin e prodhuar prej tyre”, thotë deputeti.

Braçe ndalet më pas të projektet infrastrukturore të mëdha, që thotë se do të nxisin zhvillimin ekonomik të vendit dhe në fund te ndryshimet klimatike, që thotë se ëshë emergjenca që duhet trajtuar në dekadën që vjen.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë