Në gusht Joe Biden po sulmohej nga parlamenti britanik për një tërheqje “të turpshme” nga Afganistani që zemëroi Mbretërinë e Bashkuar dhe aleatët e tjerë. Presidentit amerikan thuhet se iu desh një ditë e gjysmë për t’iu përgjigjur telefonatës së kryeministrit Boris Johnson.
Të martën, kryeministri Boris Johnson mbërriti triumfalisht në Uashington, duke festuar një pakt të ri ushtarak mes SHBA-së, Britanisë dhe Australisë. Ai u ul në Zyrën Ovale dhe lavdëroi fjalimin e presidentit Biden në asamblenë e përgjithshme të OKB -së, ndërkohë që presidenti francez Emmanuel Macron anuloi takimin me të, duke mbajtur një qëndrim të ashpër ndaj Britanisë dhe SHBA-së për përjashtimin nga marrëveshja.
Por asnjë nga ekstremet nuk ishte realist. Marrëdhënia midis Shteteve të Bashkuara dhe Britanisë pas Brexit, dhe marrëdhëniaa midis Biden dhe Johnson, mbetet e komplikuar.
Biden nuk e ka gëzuar me ndonjë lajm të mirë kryeministrin britanik, të cilit nuk i premtoi marrëveshje për tregtinë e lirë.
Johnson u nis drejt udhëtimit me shpresën e arritjes së marrëveshjes gjithëpërfshirëse të tregtisë së lirë SHBA-Britani e Madhe, e cila iu premtua britanikëve si “shpërblim” për Brexit.
“Ne do të vazhdojmë të punojmë për një marrëveshje të tregtisë së lirë në të gjithë botën, përfshirë në Shtetet e Bashkuara. Kam shumë arsye për të qenë optimist për këtë”, tha kryeministri para se të nisej drejt Nju Jorkut.
Shpresat e Jonhson ishin që ndërkohë që Biden kërkon të mbledhë demokracitë botërore kundër autokracive të tilla si Kina, ai do të ketë nevojë për Britaninë në anën e tij.
Por bisedimet për këtë çështje mësohet se ishin të ashpra.
Qeveria britanike tha se udhëheqësit u pajtuan për ta vazhduar punën drejt një marrëveshjeje të plotë për tregti të lirë në të ardhmen. Sidoqoftë, Boris Johnson nuk ka tingëlluar shumë optimist se marrëveshja do të arrihet para zgjedhjeve të ardhshme, duke thënë: “Amerikanët negociojnë shumë fort”.
Duke folur para gazetarëve në Zyrën Ovale, presidenti amerikan tha se për tregtinë me Britaninë re Madhe “do të duhet të gjendet një zgjidhje”.
Biden dhe kryeministri britanik Boris Johnson nënvizuan angazhimin e tyre për të trajtuar ndryshimet klimatike të martën, gjatë një takimi në Shtëpinë e Bardhë pasi të dy folën në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së më herët gjatë ditës.
Presidenti Biden tha se ai e bëri të qartë në fjalimin e tij në OKB se “klima duhet të jetë fusha kryesore e veprimit për të gjithë ne”.
Kryeministri Johnson vlerësoi Presidentin Biden për vendosjen e çështjes kaq lart në axhendën e tij, duke thënë se “është fantastike të shohësh Shtetet e Bashkuara vërtet të marrin inciativën dhe të tregojnë një epërsi, një epërsi të vërtetë…”.
Të dy udhëheqësit ranë dakort gjithashtu për dashurinë e tyre të përbashkët për trenat. Presidenti Biden udhëtonte me trenin Amtrak pothuajse çdo ditë ndërmjet shtëpisë së tij në Wilmington, Delaware dhe Uashingtonit, gjatë 36 viteve të tij si senator amerikan.
Kryeministri Johnson hipi në një tren Amtrak në qytetin e Nju Jorkut të martën, për të ardhur tek takimi me Presidentin Biden.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje