Politike

Anëtarët komisioneve të Kuvendit si test i bashkëpunimit PS-PD në Kuvend

Kuvendi mblidhet këtë të enjte në seancën e radhës plenare, që ndryshe nga seanca pararendëse, ku u miratua programi dhe qeveria e re, parashikohet të jetë më e qetë dhe të shërbejë edhe si test se ç’rrugë do të ndjekë bashkëpunimi PS-PD në parlament për çështje të tjera më të rëndësishme.

Në rend të ditës është plotësimi i komisioneve të përhershme parlamentare, si çështja më e rëndësishme. Në seancat e kaluara u zgjodhën drejtuesit e këtyre komisioneve, ndërsa plotësimi me anëtarë u shty me kërkesë të Partisë Socialiste pas pretendimeve të LSI-së së ishte lënë jashtë këtyre komisioneve.

PS fajësoi Partinë Demokratike se kishte dorëzuar më shumë propozime nga sa i takonin, duke përfshirë edhe të njëjtat emra në dy komisione të përhershme parlamentare, që në pretendimin e socialistëve ishte në kundërshtim me rregulloren e Kuvendit.

PD këmbënguli se propozimet e tyre janë në përputhje me rregulloren e Kuvendit, ndërsa akuzoi PS se po kërkon që të reduktojë hapësirat e opozitës në Kuvend.

Një tjetër çështje që ka nisur të diskutohet jozyrtarisht mes mazhorancës dhe opozitës është ndërhyrja në Kushtetutë për të zgjatur afatet e komisioneve të vettingut, që përfundojnë në korrik të vitit të ardhshëm. PS thotë se ndërhyrja në Kushtetutë për të zgjatur këto afate është zgjidhja më e mirë pasi ruan standardet e njëjta të këtij procesi, ndërsa nga PD nuk ka ende një qëndrim zyrtar për këtë çështje.

Ndërkohë, në një tjetër zhvillim, Sekretari i Përgjithshëm i PS-së, Damian Gjiknuri nuk përjashtoi mundësinë e dialogut me PD për të ndërhyrë te reforma administrative territoriale, e kritikuar nga Partia Demokratike, që kërkon ndryshimin e saj.

Në këtë seancë mungon Kryeministri Edi Rama, i cili ndodhet në Nju Jork për të marrë pjesë në punimet e Asamblesë së Përgjithshme të OKB.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë