Politike

Reforma territoriale e kërkuar nga PD, Gjiknuri: Të hapur të negociojmë, por vetëm në institucione

Sekretari i përgjithshëm i PS Damian Gjiknuri prezantoi në Shkodër drejtuesen politike të PS për këtë qark Edona Bilali në një mbledhje të zhvilluar me deputetët socialistë, kryetarët e bashkive dhe struktura të tjera të kësaj force politike në qarkun Shkodër.

I pyetur pas takimit nëse PS është e gatshme që t’i ofrojë PD ndryshimet e reformës territoriale që kërkon Basha në këmbim të dakordësisë së opozitës për ndryshimet kushtetuese në organet e Vettingut, Gjiknuri tha se PS është e gatshme që të dialogojë me PD, por në institucione dhe jo jashtë tyre.

“PS dhe kryeministri Rama e ka thënë edhe në Kuvend që ne jemi të gatshëm të ulemi dhe të dialogojmë me PD, dialogimi nuk bëhet me diplomacinë e megafonit as me deklarata për shtyp, dialogimi bëhet që të ulemi në tryezë siç kemi bërë reformën zgjedhore më parë, siç kemi bërë reforma të tjera. Kryeministri e tha që ne jemi të gatshëm pavarësisht pikëpamjeve të ndryshme që kemi qoftë për reformën në drejtësi, qoftë për reformën territoriale apo edhe për probleme të reformës zgjedhore nëse ata duan të adresojnë këto çështje e mira është edhe një dialog që zhvillohet në institucione. PD është në institucione dhe ne e mirëpresim në çdo kohë. Për përmbajtjen është shpejt të flasim sepse ai është produkt i tryezave të përbashkëta”, tha ai, duke këmbëngulur se politikbërja zhvillohet vetëm në institucione.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë