E bujshme në Londër: Antoni Xhoshua, 31-vjeçari britanik kampion bote i peshave të rënda Wba, Ibf dhe Wbo, me një rekord prej 24 fitoresh, është mundur nga Oleksandr Usyk, 34-vjeçari ukrainas që vinte si sfidant në këtë ndeshje. Një humbje me pikë (117-112, 116-112, 115-113), që askush para kësaj sfide nuk e kishte imagjinuar.
Xhoshua e mendonte këtë ndeshje si një test para përballjes me Tajson Furin në një derbi anglez. Por çdo plan i tij ka rënë poshtë për meritë të Usyk, që çon në Ukrainë titullin më prestigjioz të boksit, atë të peshave të rënda. Usyk ka treguar se është më i forti, ka surprizuar në shtëpinë e kampionit dhe kjo është e pabesueshme.

Ishin 62 mijë tifozë në stadiumin e Totenhemit për të bërë tifo për sfidantin në një atmosferë britanike, si në futboll. Mes tyre ishte edhe ukrainasi Vladimir Klitçko. Usyk e nisi mirë ndeshjen, mjaft aktiv dhe dinamik. Në raundin e dytë Xhoshua tregoi klasin e tij me një të djathtë të fortë. Por kampioni hasi vështirësi më pas, i surprizuar nga kurajoja e ukrainasit në këtë betejë.
Ndeshja vazhdoi e ekuilibruar dhe të gjithë prisnin Xhoshuan më të mirë, që u duk në raundin e 6-të, kurse në të 7-in ukrainasi befasoi me një të majtë që tronditi britanikun. Xhoshua provoi të reagonte, por gjithsesi ndeshja vazhdoi e barabartë. Në raundin e parafundit Usyk kishte më shumë precizion në goditje, kurse anglezi nuk pati shënjestër.
Ukrainasi ishte më mirë edhe në raundin e fundit, me një të majtë të rrezikshme, duke e vendosur Xhoshuan te litarët. Një Usyk perfekt, autor i ndeshjes së jetës. Sfidanti u ul në gjunjë në ring, në pritje të verdiktit, që ishte unanim: kampioni është ai.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje