Politike

Grida Duma: Pezullimi i Berishës, e keqja më e vogël. Duhet ta mbajmë PD-në të bashkuar

Në debatin mes Sali Berishës dhe Lulzim Bashës shumëkush në PD është pozicionuar ose me njërën palë ose me tjetrën.

Fundja edhe vetë përplasja po shkon në këtë pikë.

Por nënkryetarja e PD-së, Grida Duma e cila ka bashkëpunuar si me Berishën ashtu edhe me Bashën është treguar e kujdesshme në një dalje për mediat.

“Nuk e gjykoj aksionin e zotit Berisha. Është një vendimmarrje e tij. Nuk marr delirin të jap këshilla në këtë situatë. Nuk e imagjinoj dot t’i ndaj në demokratë të Berishës dhe demokratë të Bashës. Duhet t’i thërrasim arsyes për të thënë se për të shkuar drejt fitores duhet qetësuar gjithçka.

Kemi një palë demokrate dhe jo dy…

Ne duhet të gjejmë të gjithë mënyrat për ta mbajtur PD-në të bashkuar.

Ka disa që kanë një qasje më emocionale në këtë moment, ka disa që kanë një qasje më racionale për momentin, por i takon përgjegjësisë së lidershipit për ta mbajtur PD-në të bashkuar. Është e domosdoshme”, tha ajo.

Sipas saj, besimet mund të lidhen me individë, por “vendimi për pezullimin e liderit historik ishte e keqja më e vogël”, me idenë që “Partia Demokratike të fuqizohet dhe të jetë një zë i fuqishëm qoftë dhe në qartësimin e fakteve që Berisha po kërkon”.

“Nëse do të hidhej në votim do të ishte shumë konfuze. A do të votonin ata për zotin Berisha? Patjetër që po.

A do të votonin ata për të ardhmen e Partisë Demokratike dhe të ardhmen e vet që duan ta shikojnë fituese? Patjetër që do të ishin mes këtyre dy dilemave.

Përgjegjësia e Bashës për ta mbajtur mbi supe këtë vendim dhe për të mos e deleguar në nivel referendumi është një përgjegjësi që ka një akt vendimmarrës të mirë, për të shmangur të keqen më të madhe dhe për ta çuar PD-në drejt fitores”, tha ajo.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë