Politike

Rama shkëmben batuta me studentët e Kosovës, flet edhe për mungesën e ministrave nga Kosova

Gjatë takimit me studentët në Prishtinë kryeministri Edi Rama ka folur për mungesën e ministrave nga Kosova në kabinetin “Rama 3”.

I pyetur se përse nuk ka ministra nga Kosova, ai ka thënë se do të bëhet vetë Kosovar në mandatin e tretë por nuk do të shkojë në Kosovë për të bërë fushatë.

Kryeministri Edi Rama ka folur në bashkëbisedimin me studentët dhe për situatën në Veri të Kosovës, duke dhënë një sugjerim për zgjidhjen dhe uljen e tensioneve. Rama tha se  Kosova ka të drejtë për çështjen e reciprocitetit, por se nuk duhet të ndodhë si në rasti ne tarifës dhe se forcat speciale s’duhet të rrinë gjatë në zonë.

Ai theksoi se Forcat Speciale duhet të zëvendësohen me forca në tavolinë, pra duke i mëshuar dialogut.

“Për Veriun, është e qartë,  Kosova ka të drejtë. Çështja e qarkullimit të mjeteve, e targave është çështje e legjitimitetit, të sovranitetit të vendeve dhe është shqyrtuar në marrëveshje të mëparshme. Serbia pretendon se këtu po kërcënohen qytetarët serbë të Kosovës, ndërkohë që faktikisht këtu është shumë e qartë që serbët e Kosovës jo vetëm nuk kërcënohen nga asgjë, por janë pakicat kombëtare ndër më të përkëdhelurat, kjo e bën Kosovën shembull. Se kuptoj dot se si mund t’u paguhen dhe faturat e dritave.

Fakti është që ata nuk kërcënohen. Ata janë pengje të një dialogu që ka mbetur rrugëve dhe të moszgjidhjes përfundimtare të çështjes. Ato manovra teatrale me helikopterë e avionë mund të sugjestionojnë opinionin publik serb se mbase ka nevojë të ushqehet me idenë që disponon mjete ushtarake për të mbrojtur vëllezërit, apo mund të sugjestionojnë dhe njerëzit këtu apo në botën shqiptare që shikojnë nga facebook vetëm luftë. Kosova e ka fituar luftën, kur ju që jeni këtu, nuk kishit lindur akoma, apo nuk kishit lindur.

Mendoj që situata është e qartë, por gjëja që më shqetëson që mos të ndodhë si me tarifën. Çuarja e forcave speciale në momentin e parë për t’u siguruar që nuk ndodh diçka e papëlqyeshme, diçka lënduese për njerëzit, nuk më duket se është një shpallje lufte apo provokim. Mbajtja e forcave speciale për një kohë të gjatë do të ishte bumerang, siç ndodhi me tarifën. Unë e mbështeta, sepse ishte një klithëm për t’u dëgjuar. ishin dërguar letra e letra në Bruksel dhe u desh tarifa për t’i ngritur veshët opinionit ndërkombëtar që nuk jeton përditë me ne, ndaj duhet t’i dalim zot vetes. Me guxim, jo duke imagjinuar që gjërat që dalin në procesin e paqes të zgjidhen me mjetet e luftës, por duke pasur kurajë, aftësi e shkathtësi diplomatike.

Kosova është fëmija i bashkësisë ndërkombëtare. Këtë bashkësi ndërkombëtare dhe këta miq dhe aleatë të mëdhenj ne duhet t’i mbajmë shumë afër dhe nuk duhet t’u japim shkak që të ftohen, që të zhgënjehen dhe që të lodhen, siç ndodhi me historinë e tarifës kur Kosova humbi shumë reputacion. Politika e jashtme nuk mund të bëhet për politikë të brendshme dhe anasjelltas. Ngatërrimi i këtyre gjërave ka ndodhur”, deklaroi Rama.

Në mbyllje të bashkëbisedimit të Ramës me studentët në Prishtinë, nuk kanë munguar as batutat. Një studente nuk ka pasur pyetje për kryeministrin, por e komplimentoi, duke e cilësuar ikonë të modës. Ndërsa përgjigjja e Ramës ishte se sajohet pasi Zoti nuk ia ka dhënë të gjitha.

“Jeni ikonë e modës, komplimente se pyetje nuk kisha”, i ka thënë studentja.

“Dëgjo, e di si është kjo punë. Kur t’i ka dhënë Zoti dhe natyra të gjitha nuk ka nevojë me u saju, por sajohesh kur nuk t’i ka dhënë të gjitha dhe mundohesh të rregullohesh. Vjen nga halli kjo, s’ka lidhje…Por faleminderit”, është përgjigjur Rama.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë