Në mes të debatit të hapur mes Sali Berishës dhe Lulzim Bashës, në Partinë Demokratike ka nisur një lëvizje e re (që nuk është as më njërin dhe as më tjetrin) e quajtur “Iniciativa Demokratike” e drejtuar nga Fatbardh Kadilli kandidati për kreun e PD-së që zgjedhjet e fundit brenda partisë nuk mundi të rizgjidhej anëtar i kryesisë.
Në ambientet e Hotel “Rogner” bashke me anëtarin e kryesisë Ivi Kaso njëherazi Sekretar i Marrëdhënieve me Publikun, Enno Bozdon, Dritan Shanon, Arben Ristanin, ekonomistin Artan Hoxha por dhe disa anëtarë të Këshillit Kombëtar, Fatbardh Kadilli shpalli nismën për një lëvizje të re që do të funksionojë brenda PD-së.
Pak a shumë në formë një lëvizje si KOP-i i 2005-ës (kësaj here jo me bekimin e lidershipit zyrtar) ku synohet t’i bashkohen politikanë me përvojë, me karrierë politike dhe administrative, por edhe njerëz të rinj, që duan të sjellin ide të re për reformimin e partisë
“Partia Demokratike ndodhet në një krizë të rëndë. Jemi përsëri në opozitë. Jemi të përçarë dhe kemi lidershipin të kompromentuar përballë anëtarësisë.
Gara për zgjedhjen e Kryetarit të ri ishte një mundësi e humbur dhe e keqpërdorur.
Në Manifestin Politik për Ringritjen e PD kam këmbëngulur për një PD më të madhe se Kryetari, për një PD më të madhe se vetvetja.
Motoja ime ishte dhe mbetet për Një PD të Pastër, Të Hapur, Të Bashkuar dhe Fituese”, e filloi fjalën e tij, Fatbardh Kadilli.
Iniciativa Demokratike do të ketë edhe logon e saj identifikuese – iDE.
Por cili është propozimi konkret i kësaj lëvizje?
“Në këtë kohë të turbullt ne kemi propozimin tonë për demokratët:
Grindja e brendshme, kriza e rëndë politike, përplasja mes dy kryetarëve po shpenzon energji, po bjerr moralin tonë politik dhe ka nxjerrë jashtë misionit të saj opozitar PD.
Ne besojmë se asnjëra palë nuk jep zgjidhje të qëndrueshme. Nuk janë zgjidhja as për PD dhe as për të ndërtuar opozitë të pastër. Asnjëri nuk bashkon, nuk forcon, nuk na shton, nuk fiton. Nuk jep një fokus të qartë e të vërtetë opozitar. Një alternativë konkurruese.
Pikërisht tek krijimi i alternativës qëndron propozimi ynë. Ne kemi marrë përgjegjësitë tona.
Do të bëjmë opozitë. Një opozitë të re. Përballë pushtetit abuziv të Ramës, ne do të vijmë si një opozitë e pastër, opozitë konkurruese, opozitë që ngjall shpresë. Kjo opozitë e re do ketë propozime të besueshme, nga njerëz të besueshëm, në dobi të vendit”, tha Kadilli.
A vjen kjo lëvizje në kundërshtim me statutin?
“Në përputhje të plotë me statutin e PD, ne sot shpallim krijimin e iniciativës demokratike si strukturë e PD-së jo mbi baza territoriale por sociale, profesionale, politike. Me shtrirje dhe veprim në gjithë territorin”.
Në thelb të lëvizjes do të jenë idetë.
“Ne sjellim ide. Në iDE ballafaqohen ide. Kush ka ide, vjen në iDE. Me mendim të ri politik, me sfida të vërteta politike, me aksion të njëmendtë politik. Për beteja politike thelbësore, programore dhe jo beteja rastësore.
iDE do të mobilizojë energjitë dhe talentin e pashfrytëzuar të demokrateve dhe opozitarëve.
Opozita nuk është ekskluzivitet i askujt. Partia edhe mund të bëhet monopol. Opozitarizmi jo!”, tha ai
“Ajo është vetvepruese. iDE është më e gjerë se anëtarët e PD. Ajo është një ftesë për çdo demokrat që nuk është PD-ist dhe për çdo qytetar që nuk është demokrat.
Tek vetveprimi, tek hapja, tek konkurrenca si filozofi e jetës, si dhe tek qytetari qëndron dallimi dhe e veçanta e këtij forumi të pangjashëm deri më sot.
iDE do të bëjë politikë që sjell dobi për qytetarin. Që zhvillojnë dhe lartësojnë familjen, ligjshmërinë, pronën private, tregun dhe meritokracinë”, tha Kadilli
Edhe Sekretari i Marrëdhënieve me Publikun, Ivi Kaso tha gjatë fjalës së tij se e sheh këtë lëvizje si një vektor që i ka munguar opozitës, duke vlerësuar së kjo nismë do të sjellë një frymë të re të opozitarizmit.
Ekonomisti Artan Hoxha tha se një lëvizje e tillë mund të shërbejë si hapësire për të eksperimentuar forma të reja opozitbërje. Sipas tij, PD-ja nuk mund të jetë opozitë e kryetarit por e hapur dhe gjithëpërfshirëse.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje